Prej afro dy muajsh në arrest shtëpie për akuzën e korrupsionit, Sali Berisha nuk ka reshtur së sulmuari sistemin e drejtësisë, duke e cilësuar atë të kapur nga qeveria dhe gjithashtu dhe prokurorë e gjyqtarë të veçantë.
Në grumbullimin e radhës poshtë dritares, drejtuesi i Rithemelimit, lëshoi akuzat e radhës ndaj SPAK dhe strukturave të reja, duke i krahasuar ato me drejtësinë e diktaturës, teksa shtoi se asnjëherë nuk do të bëjë lëvdata për to vetëm se duan të huajt.
“Drejtësia e re është kopja e shëmtuar e drejtësisë së vjetër të diktaturës. Është drejtësia e mercenarëve që s’kanë ligj as moral ligjor.
Ata që mbrojnë drejtësinë e re, ata mbrojnë krimet e Edi Ramës. Ata që u servirin shqiptarëve drejtësinë e re, u servirin mburojën e korrupsionit si drejtësi. U servirin mercenarët, bandat kriminale në drejtësi, që luftojnë kundër opozitës dhe qytetarëve.
Çfarë ligji respektojnë këta banditë? Ka një vendim të Gjykatës Kushtetuese për Teatrin.
Po pse e lavdërojnë të huajt, duhet ta lavdërojnë shqiptarët? Kurrë, kurrë, kurrë”, tha mes të tjerash Berisha./m.j