I ishte premtuar një jetë “si princeshë”, por ka përfunduar në rrugë. Një 16-vjeçare shfrytëzohej për të lypur nga një djalë 19-vjeçar i cili e kishte nxjerrë në rrugë për të lypur. Dy të rinjtë kishin një lidhje dashurie mes tyre, por vajza e mitur shumë shpejt nga premtimi për një jetë më të mirë po shfrytëzohej nga i dashuri i saj.
Pasi u largua nga qyteti i saj i Pogradecit, vajza shkoi në Berat së bashku me të dashurin e saj 19-vjeçar, shtetasin me inicialet A.B. Pas disa ditësh atje, ky shtetas i arrestuar tashmë nga uniformat blu, e detyroi vajzën të dalë në rrugë për të lypur. Pa asnjë mundësi zgjidhjeje, vajza i’u bind djalit. Kjo situatë zgjati për disa ditë, derisa policia siguroi informacione për shfrytëzimin e saj.
Duket se uniformat blu ndërhynë në kohë, pasi vajza shumë shpejt do t’i nënshtrohej një lloj tjetër shfrytëzimi në rrugë, atij të prostitucionit. Pasi shoqëroi vajzën, policia arrestoi në kushtet e flagrancës 19-vjeçarin.
Shfrytëzimi
19-vjeçari A.B. dhe vajza e mitur 16-vjeçare njiheshin mes tyre prej disa muajsh. Ata pëlqeheshin dhe klishin krijuar lidhje së bashku. Pasi kanë komunikuar prej disa kohësh, shtetasi A.B. e bindi vajzën të udhëtonin së bashku në qytetin e Beratit, ku banonte i riu. Aty u zbuluan edhe qëllimet e vërteta të tij.
Ai e detyroi vajzën të dalë në rrugë për të kypur fillimisht. Vajza doli për disa ditë, kryesisht në zonat qëndrore të qytetit. Ajo krijoi dyshime edhe tek banorët e zonës dhe policia, pasi nuk ishte person i njohur për zonën. Ndërkohë, gjatë këtyre ditëve, vajzës i ishte bërë presion të ushtronte prostitucion por nuk kishte pranuar, ndërkohë vijonte të lypte. Gjatë kësaj periudhe policie kishte nisur verifikimet pas indiceve se vajza po shfrytëzohej. Ajo u zëhgua së bashku me 19-vjeçarin.
Pasi kryen të gjitha verifikimet, punonjësit e policisë shoqëruan vajzën. Ajo rrëfeu në polici shfrytëzimin që po i bëhej. Po ashtu ajo tregoi se shtetasi A.B. kishte tentuar edhe ta shfrytëzonte për prostitucion. Në këto kushte, i riu u prangos në flagrancë./Javanews