Në orët e para të mengjesit të datës 20 mars 2016 nga Policia e Shtetit është marrë informacion në rrugë operative se në zonën e fushave të fshatit Akërni, po lëviz në hapësirën ajrore, një avion i vogël.
Pas marrjes së këtij informacioni, u organizuan të gjitha shërbimet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë, Drejtorisë Rajonale të Kufitit dhe Migracionit Vlorë si dhe të Njësisë së Lëvizshme Territoriale Delta Force. Si dhe është njoftuar menjëherë edhe Drejtoria për Hetimin e Narkotikëve dhe Trafiqeve në Drejtorinë e Policisë së Shtetit.
Gjithashtu, Policia e Shtetit ka njoftuar mënjehërë Policinë Italiane, me qëllim ndjekjen e përbashkët të këtij informacioni.
Në bashkëpunim me homologët Italianë, u punua intensivisht, për verifikimin e këtij informacioni, duke zhvilluar veprime të koordinuara në Vlorë dhe në një pjesë të territorit Italian.
Policia e Shtetit ka shoqëruar shtetasit N.M., A.M., K.M., si të dyshuar në lidhje me këtë veprimtari, si edhe automjetet një fuoristradë dhe një furgon në pronësi të këtyre shtetasve, të cilat po këqyren nga specialistët e Policisë.
Policia e Shtetit po bashkëpunon edhe me Prokurorinë për Krime të Rënda Tiranë, dhe ka bërë regjistrimin e Procedimit Penal per vepren penale “Trafikim të lëndëve narkotike” të kryer në bashkëpunim, parashikuar nga neni 283/a/2 i Kodit Penal.
Veprimtaria hetimore është në vijim edhe nga homologët e policisë italiane për zbulimin e autorëve të implikuar në këtë veprimtari kriminale.