Përgatitjet në terren mungojnë krejtësisht, në nivelin e duhur. Në Kapshticë gjenden disa mjedise të prishura, me mungesë energjie prej një viti dhe të papërdorshme prej kohësh, ku nuk vjen uji dhe që u duhet një rregullim i përgjithshëm. Por shqiptarët e provincës e kanë marrë me qetësi, pasi sipas tyre, kurdo që të vinë, e kanë një vend ku ta fusin kokën. Dhe, mbi të gjitha, dinë se nuk do mund të vinë shumë, pasi edhe po erdhën do sajohen…
Nga Kapshtica, Ben Andoni
Nëse do të dëgjosh Kryetarin e ri të Bilishtit për ndryshimet në këtë vend, do të duket si parajsë. I ka shtuar edhe disa foto faqes së vet, dhe e gjitha kjo të ngjan me vendin e një qetësie të përkorë. Anipse, ekstremi shqiptar i Juglindjes nuk është i tillë. Ca më shumë, kur e prek. Njerëz të lodhur, të munduar dhe me mungesë totale shprese vërtiten atypari. Një djal i veshur hijshëm dhe pastër, na kërkon para. “Jam jetim. Dua vetëm një copë bukë. Ke një 50 Leksh”…
Pas katër-pesë orësh udhëtimi prej Tiranës, ajo që sheh në qytetet dhe fshatrat korçare është heshtja dhe një reliev shumë monoton. Njerëz që e kanë braktisur punën, por edhe të tjerë që mundohen dhe punojnë e si kudo një mungesë e theksuar sinjalistike.
Kapshtica, vetëm pak kilometra nga Bilishti, e bën dhe më të theksuar braktisjen dhe në rrugë hasesh ende me ndonjë, që tenton të udhëtojë drejt Greqisë. Por, jo më nga malet. Edhe pse ka heronj sërish, që i dikton varfëria. Një të tillë, e hasim në një fshat, para Kapshticës. Nga po shkon? “Tutje bre. S’kam me çfarë të ushqej fëmijët. Tutje!” Burri është i lodhur dhe me një fytyrë, ku cipa e lëkurës ia mbulon me vështirësi eshtrat e kafkës. Po ata po vinë vetë këtu, i themi për sirianët. “Ehuuuuuu!”
“Diktuam pak kohë më parë një grup me gjashtë veta, që nga ana jonë shkonin në drejtim të Greqisë. Kemi lajmëruar menjëherë palën greke, sapo sensorët me lëvizje, i kapën. Pala greke i kapi në fshatin më të afërt”, shprehet komandanti i Kapshticës, një burrë i ri me kokë të rrumbullakët dhe tejet i qeshur, që na tregon se ka bashkëpunim të mrekullueshëm me palën greke. Na shpjegon me imtësi sistemin e patrullave që bëjnë: me këmbë dhe makina. Kemi disa syresh off-road, por tashmë patrullat dhe përforcimet ndihmohen edhe nga kamerat e shumta, sipas tij.
Pika kufitare e Kapshticës, pranë Bilishtit dhe disa zona nga Gjirokastra janë dy qendrat më potenciale, që po mendohen për pritjen e refugjatëve. Drejt tyre janë zhvendosur prej ditësh zyrtarët e ndryshëm shqiptarë, kurse UNHCR ka bërë vëzhgimet e para për kapacitetet. Organizata e refugjatëve të OKB-së, në një intervistë për Aljazeera ka qenë krejt e pakënaqur dhe pak ditë më parë edhe ka bërë të qartë se masat e marra nga qeveria shqiptare, janë të pamjaftueshme pasi gjendja në terren është shumë zhgënjyese. Në fakt, s’do shumë ta kuptosh këtë. E kupton nga predispozita e përgjithshme, por edhe nga një lloj frenimi i njerëzve për ta pritur të keqen, si pasojë e kujtimit të historisë, që për shqiptarët ka qenë vazhdimisht i hidhur.
Intermexo
Pak orë më vonë (20 Mars), autoritetet greke e rrethojnë Shqipërinë me refugjatë. Ndërkohë që në media kanë paralajmëruar se kanë marra masa për një shpërndarje shumë uniforme të tyre, në një mobilizim gati kombëtar. Të fundit syresh, ishin ata që mbërritën mbrëmjen e së dielës, kur grupe të mëdha të refugjatëve nga Porti i Elefsinës u përcollën drejt veriut grek të Janinës, në kufi me Shqipërinë. Ashtu si të gjithë qytetet pritëse, duke iu referuar burimeve greke, u theksua se refugjatët do mbërrinin në aeroportin e vjetër ushtarak të Kacikas, me plot 26 autobuzë që imbarkonin rreth 1.200 refugjatë. Të gjithë të mbledhur dhe të mbijetuar prej ishujve grekë të Egjeut e më pas përcjellë kolektivisht në Portin e Elefsina-s.
Dhe, sërish nga një ferr i keq, në një tjetër mizor. Ish-aeroporti ushtarak në Janinë i përgatitur në momentet e fundit nga forcat ushtarake greke, me kushte ekstremisht të këqija dhe të vështira. Ashtu si edhe në vende të tjera, kampi i gjendur në fushë të hapur as nuk mund të afrohet me qendra të tjera, që mbajnë më pak refugjatë.
…
Të gjithë këtë bisedë e ndërrojmë me Komandantin e Kapshticës, që është i sigurt se në Shqipëri do jetë e vështirë që të hynë refugjatët dhe sidomos në pjesën e tij. Mbulon një vijë kufitare prej 66 kilometra nga të cilat rreth 55 kilometra janë një terren tokësor (shpesh i vështirë), kurse pjesa tjetër e kufirit është lumor dhe detar. Monitoron me kujdes situatën për çdo moment dhe ndjek lajmet. Kohën e tjetër e çon në patrullimin sipër në mal, ku ndjek çdo lëvizje drejt Shqipërisë.
Ndërkohë që Greqia po bëhet mbartësja kryesore në BE e refugjatëve, Maqedonia e ka bllokuar kufirin, kurse vendet e Evropës Qëndrore pothuaj e kanë perçinosur kufirin. Hungarezët kanë ngritur mur dhe kështu me radhë. Shqipëria megjithëse ka thënë se do t’i presë refugjatët, nëse do të vinin duket se nuk do t’i presë, edhe pse Komisioneri i lartë i BE-së Avramopulus, pak ditë më parë i qetësoi shqiptarët në Tiranë se do asistohen me para. Në orët e fundit edhe Shqipëria përflitet si një vend i mundshëm tranzitimi i refugjatëve drejt vendeve të BE-së, por më shumë se kaq mund të shërbejë si pikë shfryrje për Greqinë, që po e kalon pikun e mundësive. “O ne nuk kemi për vete, thonë disa burra taksistë që presin ndonjë vizitor nga Kapshtica për ta përcjellë në Korçë ose gjetkë. Kush vjen tek ne more? Po ç’thoni more?!”…
…
Pak më tutje, fshati Kapshticë gjendet vetëm minuta larg kufirit shqiptaro-grek. Është një fshat ku dominojnë çatitë e vjetra, shtëpitë e pambajtura dhe njerëz që nuk e kanë harruar eksodin e shqiptarëve. Në ditët e fundit, fshati i tyre është referuar në autoritetet e huaja, si vend pritës i refugjatëve. Por banorët nuk e kuptojnë këtë sepse aty nuk ka asnjë lëvizje. E vetmja gjë që i lidh sot për sot ata me refugjatët janë kujtimet e pas viteve ’90. Bashkatdhetarët e tyre do ndalonin të merrnin ndonjë frymë, kush kishte ndonjë pare të hollë do blinte ndonjë ushqim dhe të gjithë vazhdonin drejt Greqisë. Që të flitej se do kalohej kufiri në mënyrë të rregullt, kjo quhej utopi e vërtetë. Ata e kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme në vitet ’90 dhe që ishte më efikase në mungesë të vizave. Të njëjtën gjë do mund të bëjnë tani edhe refugjatët nga Siria, Afganistani dhe nga vendet e tjera, që janë bllokuar në territorin grek, për shkak se Evropa ua ka mbyllur kufirin, na thotë një tip i ngeshëm, që na reciton lajmet. Të tjerët sorrollaten dhe qeshin pa sens. Nëse u kërkon hollësi do të ngatërrojnë. Si në të gjithë fshatrat e Shqipërisë, njerëzit këtu i gjen shumë të pamotivuar, por edhe shumë patetikë. Para kamerës mundohen të bëhen seriozë dhe përsëritin fjalë standarde: “Kush vjen këtu? Sytë në ballë i kanë. Ore ne duam të ikim vetë, si do vinë ata!!!” Janë pak të tollovitur, por janë dhe në vëmendje të zyrtarëve dhe grupeve të FNSH, që ndjekin me dylbi nga piramidat e kufirit gjithçka. Ndërkohë në fshat, janë të vendosura disa si hapësira ku mund të rrinë, një mjedis i vjetër reparti është më i pranueshëm dhe ku pretendohet se mund t’i strehojë.
“Kostinec, mund të jetë një nga vendet nga ku mund të hynë. Atje është pika më e afërt”, na sqaron komandanti i Kapshticës, që na jep mundësi të rrimë dhe me patrullën. Nuk jam i sigurt nëse e dëgjoj mirë komandantin që merr përsipër të na ngjisë në mal, të shikojmë patrullime.
Është afër mendjes se deri tani ascili nuk ka ardhur nga refugjatët sirianë, por ata mund të vinë nga çasti në çast. “Jo bre nuk kemi parë, po ç’duan këtu. Po andej nga ato Tërsëniku, andejza mund të vinë”. Nuk duken shumë entuziastë por nga ana tjetër e kanë si argëtim sepse me sa më duket duan të shohin pak përfitim. “Do t’u japim çfarë të kemi, po sa shqiptarë hallexhinj kemi përcjellë, do gjendet një lugëz dhe për ta”. Rrinë të gjithë me duart në xhep dhe e kanë argëtim punën e refugjatëve sepse e shohin si mundësi që të merren me diçka. Banorët janë pak të ngeshëm dhe tejet dembelë dhe për këtë nuk të çudisin se përreth shikon shumë shtëpi të pambajtura.
Në fakt, ish-reparti ushtarak, vendi kryesor i rrëfyer si stacionim për emigrantët, përmbledh një ndërtesë që i mungojnë kushtet elementare dhe do shumë të përshtatet. Gjurmët e ish-repartit janë të zbehta, por ai shpejt mund të rivitalizohet nëse do ketë pak vullnet. Ka një tra përpara që kushdo mund të kaloj. Ndërsa mjedisi veç hapësirës nuk të ofron ndonjë gjë më shumë. Dhe paçka premtimeve të zyrtarëve shqiptarë, nga e thënë në të bërë, është ende shumë larg. Nuk ka ujë, banjat duhet të rregullohen nëse do të duhet të përshtaten, kurse energjia elektrike prej më shumë se një viti nuk ekziston. Është një roje, që e kanë intervistuar dhe më parë kolegë të mi. I duken të gjithë njësoj, cili e pyet. Dhe, ka të drejtë, kanë ardhur shumë përfaqësues të autoriteteve lokale, pa harruar ata të Avokatit të Popullit dhe përfaqësues të UNHCR. Kuptohet se qëllimi është i njëjtë: të identifikohet sesa do mundet Shqipëria që ndërtesat mund të përshtaten si vendstrehim për refugjatët në rast se ata vendosin të kalojnë kufirin shqiptaro-grek. Nëse ai moment, duhet të vij, do t’i duhet prefekturës që të marrë masa dhe bashkë me të edhe pushtetit lokal që të bëj çmos e t’i mbledhë të gjitha. Ai ngre supet. Të tjerët e kanë marrë qetë sikur koha të jetë e pakufi dhe ata të mos i kërcënojë asgjë, sepse në thelb realisht askush nuk beson se do të ketë refugjatë këtu.
Jo se në Bilisht, që është qyteti i fundit shqiptar, bëjnë ndonjë gjë më shumë. Njerëzit sorrollaten pa asnjë arsye. Kur fillojnë ndeshjet ngulen të gjithë, për të vënë ndonjë bast, ndërsa mbesin krenarë për “Skënderbeun” e Korçës së tyre, që dominon Shqipërinë.
Rreth tre kilometra larg nga Kapshtica gjendet Braçaj, edhe një tjetër fshat i afërt. Edhe këta flasin njësoj. Në fakt kanë marrë aq mjeranë që kanë kaluar kufirin, sa këta të tjerët nuk u bën fare përshtypje. “Nuk kemi parë, por kemi dëgjuar se do të vijnë dhe do ua kthejmë njësoj po u sollën keq”, na shpjegon një trimosh që zgërdhihet vazhdimisht.
Ne i kemi marrë masat
Krejt ndryshe flet Dashamir Spaho. Drejtori i Drejtorisë Vendore të Emigracionit të Qarkut Korçë thotë se janë marrë masat dhe se presin urdhrat nga autoritetet shqiptare, për t’u përballur me një situatë të mundshme të hyrjes së refugjatëve në Shqipëri. Pohon se nuk ka lëvizje ndërsa sqaron se monitorojnë më kujdes dhe me shumë akoma. E takojmë pak orë më parë në Qafë Thanë teksa i veshur civil duket i qetë, e përcjell të njëjtat përgjigje në morinë e kushedi sa intervistave që i janë bërë deri më tash. Me vartësit e vet bën një punë të qetë dhe mundohet që me masat e reja dhe me modernizimin e kufirit të mos harrojnë punën primare. “Mundohemi ta bëjmë sa më të rregullt e normal qarkullimin e qytetarëve dhe automjeteve”. Por, në terren në Qafë Thanë nuk ka shumë makina shqiptare që kthehen nga Maqedonia përkundrejt asaj që shkojnë atje. Dhe, njësoj ndodh edhe në kufirin grek me Kapshticën.
Ndërkohë në “kufirin e gjelbër”, vija kufitare natyrore mes dy vendeve, prej pak ditësh 450 forca policore të grupeve speciale patrullojnë pagjumë në këtë zonë. “Nuk kemi pasur raste dhe vërtetë ndjekim lajme për afrimin e tyre por as nuk janë afruar”. Spaho heq dhe mëdyshjen tonë kur e ngacmojmë për lajmërimet e medias të huaj që thonë se ka përqendrim të madh refugjatësh në kufirin shqiptar. Njeh shumë mirë gjeografinë e kampeve në Greqi, sepse me këtë i duhet të llogarisë forcat tona në kufi, “por nuk është parë asnjë lëvizje në drejtim tonë”.
Në fakt, kufiri ynë, përpos marrëdhënies së protokollit të shërbimit normal policor nuk është kështu. Në Kapshticë përveç forcave normale të kontrollit të kufirit gjenden edhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë. “Ne punojmë me dy lloj kamerash, janë ato termike por edhe infrared, të cilat duhet për të punuar natën. I kemi montuar edhe kamera termike në vende të padukshme, të cilat mund të kapin çdo lëvizje, si gjatë natës ashtu edhe gjatë ditës të atyre që kalojnë kufirin. Imazhet e këtyre kamerave përcillen brenda 10 sekondave në stacionin e policisë kufitare dhe më pas oficerët që janë aty informojnë me anë të radios efektivët në terren për të reaguar në rastet e shkeljes së kufirit”, thotë komandanti i Kapshticës..
…
Nga zhgënjimi për përgatitjet dhe fluksin e ardhjes merremi pak me kuptimin e fjalës refugjat. Taksistët e kufirit kanë versionin e tyre. Është relativ, por kjo fjalë të duket si e huaj të përdoret për gjithë ata shqiptarë të cilët emigruan në vende të ndryshme, ca më shumë për sirianët dhe afganët, që po largohen me një eksod gati biblik nga vendi. Kjo s’është temë edhe për Shqipërinë, sot që Bullgaria, Rumania, Polonia, Hungaria, Çekia i kanë mbyllur krejt udhët, veç Gjermanisë dhe Austrisë. U shmangemi dhe i lemë në një debat të ndezur.
Nuk ka kohë, ndërsa komandanti i Kapshticës, largohet brenda mirësjelljes të mbarojë punët e tjera të qendrës së rëndësishme mes Shqipërisë dhe Greqisë. Ikim. Fshatin Kapshticë e kalojmë rrufeshëm. Në Bilisht, patrulla e policisë që na bën me shenjë të ngadalësojmë, na jep mundësi të hedhim një vështrim të fundit në qytet. Djali “lypës” i veshur shumë pastër, u është vënë pas disa lolitave, që e presin me gaz dhe e miklojnë, sipas mënyrës së tyre. Bilishti ngjan krejt i zbrazët. Largohemi. Pranverë 2016.