Partia Demokratike i kërkon Gjykatës së Lartë që të zbardhë vendimin e 27 dhjetorit për vulën e PD, në mënyrë që ti hapet rruga Gjykatës së Apelit, që ashtu sikurse Gjykata e Lartë vendosi, të përcaktojë përfundimisht kujt grupimi i përket vula dhe logoja.
Kërkesa u dorëzua nga përfaqësuesi ligjor i PD, Indrit Sefa. Sipas tij, kjo Gjykatë ka tejkaluar afatet për zbardhjen e vendimit.
“Po mbush praktikisht dy muaj nga vendimmarrja e Gjykatës së Lartë lidhur me çështjen e Partisë Demokratike. Është 30-të ditë në shkelje të afatit ligjor për zbardhjen e këtij vendimi. Ndaj ne duhet t’i kërkojmë kësaj gjykate, sa më shpejt të bëjë zbardhjen e këtij vendimi dhe dërgimin e akteve në Gjykatën e Apelit. Ne duam që zgjidhja gjyqësore e PD të jetë përfundimtare dhe në një kohë sa më të shpejtë.
Ne flasim në rrugë zyrtare me gjykatën. Kjo është kërkesa e tretë. Dy kërkesat e para janë çuar në 27 janar dhe e dyta në fillim të shkurtit. Kjo është kërkesa e tretë. DO ju premtoj se do bëjë edhe kërkesa të tjera javë për javë, deri në zbardhjen e këtij vendimi. Është detyrim që ka gjykata ndaj demokratëve dhe qytetarëve. Duke parë ndjeshmërinë e kësaj vendimmarrje, edhe Gjykata duhet ta ketë në konsideratë në përshpejtimin e procedurave, pasi janë dhe jashtë afatit për zbardhjen e këtij vendimi”,- tha Stefa.
Edhe Gazment Bardhi, nga Rithemelimi ka kërkuar zbardhjen e vendimit të Gjykatës së Lartë. Në fund të protestës së 20 shkurtit, nga selia Bardhi i bëri thirrje Gjykatës së Lartë të zbardhë vendimin.
“Ka dyshim më kush se ku është PD, kush i gëzon simbolet e PD? Dhe gjej rastin t’i bëj thirrje së pari Gjykatës së Lartë të zbardhë vendimin dhe të mos zvarrisë më tej çështjen dhe gjykatës së Apelit që të japë vendimin për vulën e PD.”- tha Bardhi për mediat.
Kujtojmë se Gjykata e Lartë e ktheu për rigjykim në Apel çështjen për vulën e PD. Gjykata detyron Apelin që me një trupë të re gjykuese, të marrë vet ajo vendimin se kujt i takon vula e partisë. Kështu, Apeli do duhet të shprehet për vendimin e Zhukrit që njohu Berishën kryetar, i cili nëse rrëzohet, do ia linte përfundimisht PD-në Bashës.
Konflikti Berisha-Basha në PD nisi 9 shtatorin e vitit 2021, kur ish Kryeministri u pezullua nga grupi parlamentar demokrat, pas shpalljes ‘non grata’ nga SHBA. Të dy palët zhvilluan kuvende, Berisha më 11 dhjetor 2021 dhe Basha një javë më pas, më 18 dhjetor.
Në marsin e vitit 2022 gjyqtari i Gjykatës së Tiranës Agron Zhukri vendosi si të ligjshëm Kuvendin e Berishës, vendim që u rrëzua nga Apeli një vit më pas, marsin e vitit 2023. Tashmë çështja rikthehet aty ku ishte 9 muaj më parë, për t’u vendosur përfundimisht fati i partisë më të madhe opozitare në vend.
/f.s