Autoritetet greke zhvendosën mbrëmjen e së dielës grupe të mëdha të refugjatëve nga Porti i Elefsinës, drejt qytetit verior grek të Janinës, në kufi me Shqipërinë. Sipas burimeve greke refugjatët filluan të arrijnë në aeroportin e vjetër ushtarak, në Kacikas, me 26 autobusë.
Burimet greke flasin se autobusët mbanin rreth 1200 refugjatë të cilët kishin zbarkuar në ishujt e Egjeut dhe më pas ishin transportuar në Portin e Elefsina-së.
Kampi në ish aeroportin ushtarak në Janinë ishte përgatitur këto ditë nga forcat ushtarake greke , por kushtet janë të ndryshme dhe të vështira, raporton Oranews.
Kjo, pasi ky kamp në fushë të hapur nuk ofron kushte si qendra të tilla në Konicë dhe Pogon, ku u vendosën këto ditë grupe më të vogla të refugjatëve.
Sipas burimeve greke refugjatët janë pritur nga përfaqësues të Bashkisë së Janinës, anëtarët e Kryqit të Kuq dhe organizatat vullnetare, ekipe të ndihmës mjekësore, dhe janë shoqëruar nën një mbikëqyrje të madhe policore.
Shumë prej tyre kanë probleme shëndetësore. Me ardhjen e refugjatëve, sipas autoriteteve vendore në Janinë menjëherë ka filluar edhe i procesi i regjistrimit. Bashkia e Janinës u bëri thirrje banorëve të shprehin solidaritetin në ndihma me ushqime ndërkohë që priten grupe të reja të refugjatëve.
Sipas mjeteve greke t ë informimit grupet e para të refugjatëve që u zhvendosën këto ditë nga portet greke në zonat e rajonit të Janinës, kërkojnë të transferohen drejt Athinës për të udhëtuar më pas drejt vendeve të tjera perëndimore.