Gjatë 2015-s, krimet seksuale janë shtuar në krahasim me një vit më parë dhe qytetet më të prekura janë Tirana e Saranda. Në një raport të Prokurorisë së Përgjithshme rezulton se në këto qytete janë shënuar 16 raste të hetuara, tetë në secilin prej tyre. Afro 95 për qind e personave të përfshirë në këto krime janë meshkuj mbi 18 vjeç.
Në listën e qyteteve të prekura nga ky fenomen përgjatë 2015 përfshihen: Vlora me 5 raste, Durrësi me 4, Lushnja e Berati me nga 2 raste dhe Fieri e Kurbini me nga 1 rast.
Në këto krime përfshihen veprat penale si “Marrëdhënia seksuale me dhunë me të rritura”, “Veprat e turpshme” si dhe “Marrëdhëniet seksuale ose homoseksuale me të mitur e persona me moshë 14 – 18 vjeç”. Përgjatë vitit 2014 në të gjithë vendin janë regjistruar 88 procedime penale, ndërsa në 2015-n numri ka shkuar në 102 raste, me një rritje prej 16 për qind. Sipas raportit, dy nga elementët që ndikojnë në kryerjen e këtij krimi janë arsimimi i personave dhe vendbanimi i tyre. Sipas analizës së shifrave rezulton se krimet seksuale kryhen më shumë në qytet.