Tirana po përjeton ditët e saj më të mira turistike me vizita nga të huajt që gjithnjë e më shumë u shtohet interesi për të njohur kryeqytetin shqiptar.
Mes artikujve të shumë që i kushtohen vendit tonë nga mediat e huaja si një destinacion që duhet vizituar në 2024, ndër më të fundit është ai i “Travel of the Path” që Tiranën e cilëson si një vend plot gjallëri e me kosto të ulët.
Nëse më parë turistët vinin nga fundi i marsit, tashmë situata është krejt ndryshe, pasi që nga viti i kaluar, i hasim cdo ditë në rrugët e kryeqytetit. Ndaj për këtë arsye, kryeqytetit do ti shtohet dhe një tjetër pikë ku të huajt do të mund të marrin informacione të ndryshme për qytetin.
“Ne kemi një Infopoint të bashkisë së Tiranës ku presim të gjithë turistët që vijnë në Tiranë dhe japim informacion për të gjithë pjesën turistike dhe atraksionet turistike të Tiranës. Jemi duke projektuar edhe një shtëpizë të vogël që do të jetë një Infopoint në sheshin “Skënderbej” sepse është i papërballueshëm në fakt fluksi dhe vetëm një zyrë nuk arrin dot që ti përballojë”, shpjegon Koçollari.
Pas një viti me 10.1 milion turistë, Shqipëria këtë vit pritet të ketë një fluks edhe më të madh të huajsh, që do të zgjedhin që pushimet e tyre t’i kalojnë pranë natyrës shqiptare.
/f.s