Nga Endri Kajsiu
Seanca e sotme parlamentare, përveçse zallamahisë që shkakton grupimi i Berishës, nxorri sërish në dritë problemin madhor brenda PD-së.
Ai që në pamje të parë duket si një problem i thjeshtë, luftë grupimesh brenda të djathtëve, në fakt, është më i thellë se sa kaq. Problemi gjendet te kompleksi tashmë i pakontrollueshëm prej të gjitha palëve në PD, me emrin e Edi Ramës.
Pak pas seancës, Lulzim Basha deklaroi se deputetët demokratë në krahun e Berishës, i japin ushqim vetëm Edi Ramës. Në krahun tjetër, në grindjen e tij të përhershme me Bashën, Gazmend Bardhi deklaron se ish bashkëpunëtori i tij është një vegël në duart e Ramës.
Pra edhe pse gjithmonë e kanë me njëri tjetrin, Rama është përherë kryefjala e kacafytjes së tyre. E gjithë politika e tyre, përfshirë edhe ajo më banalja, rrotullohet e vërtitet rreth Ramës, me çdo kusht.
Gati gati, Edi Rama mbetet e vetmja pikë reference për politikën e tyre, qoftë kur duan të denigrojnë njëri tjetrin, qoftë kur pretendojnë se po ngrihen në nivelin e politikbërjes serioze.
Bardhi me Bashën, a Basha me Bardhin, midis të dyve dhe njerëzve që ndjekin pas secilin, është gjithmonë Edi Rama, njeriu që përpiqen ta shajnë, por në fakt tregojnë se e adhurojnë.
Të marrurit e tyre me Edi Ramën më shumë se sa me veten dhe hallin që kanë, është shenjë e një kompleksi të pafshehur tanimë, ku ushqehet dhe rritet xhelozia për kundërshtarin politik.
lexo.al