Një debat i fortë ka nisur në Indi mbi etikën rreth fushatave të ndryshme në internet.
Shkak është bërë një postim në rrjetet sociale që njoftonte se një aktore indiane shumë e njohur kishte ndërruar jetë si pasojë e kancerit të qafës së mitrës. Postimi u publikua në vetë llogarinë zyrtare të Poonam Pandey që thoshte se 32-vjeçarja “kishte luftuar me kurajo sëmundjen”, por vdiq.
Shumë njerëz i besuan postimit. Mediat ishin të parat që e publikuan lajmin dhe brenda disa minutash rrjetet sociale ishin të mbushura me homazhe për aktoren. Mirëpo një ditë pas “vdekjes”, vetë Pandey postoi një video që thoshte se kishte gënjyer dhe se postimi në Instagramin me 1.3 milionë ndjekësit e saj ishte pjesë e një fushate në rrjetet sociale për të ndërgjegjësuar rreth kancerit të qafës së mitrës.
Pandey ka aktruar në disa filma, por është bërë sensacion si pasojë e postimeve kontroverse dhe fushatave publike. Në vitin 2011, ajo premtoi se do të dilte nudo nëse ekipi indian i kriketit do të fitonte Kupën e Botës, premtim që nuk e mbajti.
“Papritur po flasim rreth kancerit të qafës së mitrës, apo jo”, tha ajo në videon e postuar, duke shtuar se ishte krenare për atë që lajmi i vdekjes së saj kishte qenë në gjendje të arrinte.
Kanceri i qafës së mitrës shpesh konsiderohet si “vrasës i heshtur” sepse ka simptoma të padallueshme në fazat e hershme. Pas kancerit të gjirit është kanceri i dytë më i zakonshëm tek gratë në Indi.
Por është ndër të tjera edhe një nga kancerët më të parandalueshëm si pasojë e vaksinës HPV. Të enjten një ditë para se Pandey të gënjente për vdekjen e saj, Ministri i Financave në Indi, Nirmala Sitharaman, njoftoi se qeveria po ndërmerrte hapa për të vaksinuar vajzat nga 9 deri në 14 vjeç.
Koha e zgjedhur për këtë bashkë me postimin e Pandey, bëri njerëzit të spekulojnë se kjo ishte pjesë e strategjisë së qeverisë, por asnjë nga të dyja palët nuk kanë pohuar që kanë lidhje për këtë gjë.
Gjatë fundjavës, postimi dhe videoja e saj nisi një debat të fortë për metodat që përdoren për të sjellë vëmendjen në një çështje kaq serioze si kanceri i qafës së mitrës. Disa e lëvduan strategjinë, por të tjetër u shokuan.
“Vdekja nuk është shaka”, shkroi një përdorues i platformës “X”, ish-Twitter.
Të tjerë akuzuan median se nuk verifikuan lajmin. Sidoqoftë disa prej gazetarëve e mbrojtën vendimin për ta publikuar lajmin pasi ishte shpërndarë nga llogaria zyrtare e aktores.
Por reagimi ndaj fushatës nuk është shuar ende.
Kjo i ka bërë njerëzit të pyesin nëse është në rregull që efektiviteti të tejkalojë etikën kur bëhet fjalë për krijimin e fushatave virale si kjo. Dhe nëse po, atëherë kush është përgjegjës për vendosjen e këtyre standardeve; reklamuesit, media apo shikuesit?
/a.r