Në Tiranë, Kuvendi zhvilloi sot një seancë plenare sa të shkurtër në votime ligjesh, aq edhe të zhurmuar nga protesta e deputetëve të opozitës, që këmbëngulin për hetime parlamentare ndaj korrupsionit të qeverisë, si dhe për moszvarritjen e reformës zgjedhore.
Një ditë para rifillimit të punës së komisionit të posaçëm për reformën zgjedhore, një grup prej 47 deputetësh të opozitës i propozuan Kuvendit të ndryshojë përbërjen e këtij komisioni. Por bashkëkryetarët e këtij komisioni, Damian Gjiknuri dhe Enkelejd Alibeaj, i thanë Zërit të Amerikës, se çdo formacion politik aktual në Kuvend i ka përfaqësuesit e vet në Komisionin e reformës zgjedhore.
Sipas tyre, ecuria e reformës zgjedhore nuk është çështje përfaqësimi, por çështje e vullnetit politik të palëve politike.
Një ditë pasi Zyra e OSBE/ODIHR-it bëri thirrje gjithë partive politike që të angazhohen për konsultime të hapura dhe gjithëpërfshirëse në përmirësimin e procesit zgjedhor, gjendja e Kuvendit sot ishte përsëri e njëjta: shumica socialiste miraton me shpejtësi brenda pak minuta ligjet e reja të programuara, nën protestën me zhurmues të një grupi deputetësh opozitarë, ndjekës të ish kryeministrit Sali Berisha dhe të drejtuesit të grupit parlamentar Gazment Bardhi.
Ata i kanë kërkuar Kuvendit që të ndryshojë përbërjen e komisionit të posaçëm të reformës zgjedhore për t’u përfaqësuar opozita më mirë në të, një përpjekje kjo për të larguar bashkëkryetarin nga Partia Demokratike, Enkelejd Alibeaj, për sa kohë që për më shumë 20 muaj ky komision nuk ka sjellë produkte dhe rezultate.
Ashtu siç bënë një javë më parë, adhe nesër ata kanë njoftuar se do të përpiqen të pengojnë nga fillimi mbledhjen e komisionit të reformës, të cilën e quajtën një farsë të njëanshme, që nuk përfill opozitën.
Bashkëkryetari socialist i komisionit të reformës zgjedhore, Daminan Gjiknuri, i tha sot Zërit të Amerikës, se një nga pengesat e punës është pikërisht përçarja në radhët e opozitës.
“Pengesë për zhvillimin normal të mbledhjeve dhe për arritjen e një produkti ka qenë përçarja që ka patur pjesa e opozitës në komisionin e reformës zgjedhore. Për shkak të flukseve të ndryshme dhe sfidimin të legjitimit që ata kanë brenda tyre, ka ardhur edhe mungesa e kohezionit sa i takon ideve dhe propozimeve të ndryshme, apo funksionim normal të komisionit. Është në interesin e opozitës që reforma zgjedhore të ecë përpara”, tha zoti Gjiknuri.
Ndërsa bashkëkryetari nga Partia Demokratike i komisionit të reformës zgjedhore, Enkelejd Alibeaj, hodhi poshtë si të pavërtetë komentet e zotit Gjiknuri se opozita po pengon reformën. Në një bisedë për Zërin e Amerikës, zoti Alibeaj theksoi se PD ka dorëzuar propozimet e saj për lista të hapura, Shqipëria një zonë zgjedhore, për votën e diasporës si dhe votim e numërim elektronik.
Ai shtoi se në komision çdo parti dhe fluks opozitar është i mirëpërfaqësuar, por mbetet angazhimi i përbashkët i opozitarëve për rezultate sa më të mira me reformën.
“Nuk po e pengon opozita reformën zgjedhore, por shumica refuzoi me mospërfillje gjithë propozimet e draftuara dhe të depozituara nga Partia Demokratike. Zoti Gjiknuri deklaroi hapur se “nuk pranojmë asnjë propozim nga Partia Demokratike. Komisioni i reformës si asnjëherë më parë ka një detyrim të madh, sepse këtë radhë nuk është vetëm detyrim politik, por janë detyrime që rrjedhin së pari nga rekomandimet e përsëritura të OSBE/ODIHR-it, së dyti vijnë edhe prej disa vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, të cilët e bëjnë të detyrueshme ndërhyrjen në Kodin Zgjedhor, përndryshe nuk ka, ose zgjedhjet do të jenë të pavlefshme”, thotë zoti Alibeaj.
Socialistët nga ana tjetër një javë më parë ata nuk mundën të uleshin në karriget e tyre, që u bllokuan nga deputetët e djathtë, duke theksuar se janë gati të diskutojnë kur të vijnë opozitarët.
Zoti Gjiknuri tha se edhe me Kodin Zgjedhor aktual mund të bëhen zgjedhje shumë të mira, për faktin se ai është certifikuar nga ekspertët ndërkombëtarë si dhe për faktin që pjesa dërrmuese e problemeve që ngrejnë vëzhguesit ndërkombëtarë i përkasin zbatimit më të mirë të ligjit dhe jo mungesave në ligj.
“Ne duam të adresojmë çështjet e mbetura nga rekomandimet e ODIHR-it. Tema si shitblerja e votës apo shkelja e ligjit nuk janë çështje të reformës zgjedhore, por punës së institucioneve të drejtësisë dhe të agjencive ligjzbatuese, që kanë dëshmuar raste të goditjes së krimit zgjedhor. Administrimi i zgjedhjeve mund të përmirësohet, ndërsa për ndërhyrje në Kod mund të ketë mbetur ndonjë çështje që do rregullim, si shpërndarja e mandateve brenda listave të partive, e cila ka nevojë për konsensus politik. PS është e gatshme t’i dëgjojë të gjithë. Një javë më parë ishte sjellja e tyre vandale, që pamundësoi zhvillimin e mbledhjes. Ne do të përpiqemi përsëri, por nëse e pengojnë përsëri, atëherë nuk di se çfarë përgjegjësie ka maxhoranca për këtë gjë”, tha zoti Gjiknuri.
Grupet e deputetëve që mbështesin ish kryeministrin Sali Berisha dhe kryetarin e grupit Gazment Bardhi, që po përpiqen të largojnë zotin Alibeaj nga bashkëryesimi i komisionit të reformës zgjedhore, theksojnë se reforma zgjedhore është bllokuar qëllimisht prej 22 muajsh, ndërsa tani komisioni po mblidhet vetëm për fasadë.
“Ka një lojë të përbashkët të maxhorancës me një pjesë të deputetëve, që vunë në diskutim përbërjen dhe legjitimitetin e komisionit. Përfaqësoj Partinë Demokratike në bashkëkryesimin e këtij komisioni dhe aty PD me propozimet e saj mbron interesat e shqiptarëve për barazinë e votës, për votimin e diasporës, për listat e hapura. Për ne nuk është çështja nëse personalisht do të jemi më apo jo në sallën e Kuvendit. Deri tani nuk kam parë asnjë deputet të maxhorancës apo nga kjo pjesë e deputetëve opozitarë, që dashur padashur po pengojnë reformën zgjedhore, që të shprehen për çështjet që ka propozuar Partia Demokratike”, tha zoti Alibeaj.
Zoti Gjiknuri thotë se PS ka vullnet politik të plotë për të përmirësuar proceset zgjedhore, ndërsa opozita merret me përfaqësimin e grupimeve të saj dhe jo me thelbin e çështjes. Ndërsa zoti Alibeaj kujton se Partia Demokratike ka sjellë propozime konkrete, pas një pune voluminoze, ndërsa një pjesë e opozitarëve ende nuk janë shprehur për to.
“Është i vetmi komision ku opozita dhe maxhoranca janë në kushte të barabarta. Duket hapur se maxhoranca nuk dëshiron ta bëjë reformën. Nevojën dhe vullnetin për të kryer reformën e kemi ne. Kemi edhe mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë, të cilët po kërkojnë që të shtyhet përpara puna në komisionin e reformës. Ky është një rast që nuk duhet ta shpërdorojmë, sepse ashtu shpërdorojmë besimin e shqiptarëve”, tha zoti Alibeaj.
OSBE/ ODIHR bëri të ditur se ka marrë një ftesë nga parlamenti dhe ka ofruar mbështetje dhe ekspertizë teknike për të çuar përpara procesin e reformës. Në deklaratë cilësohen si përparësi kryesore të reformës: parandalimi i keqpërdorimit të burimeve publike dhe blerja e votave, sigurimi i fshehtësisë së votës, mbrojtja e lirisë së medias dhe rritja e efektivitetit të administratës zgjedhore.
VOA /a.r