Matteo Messina Denaro jetoi për një kohë të gjatë në zonën e Trapanit, në territorin e tij, i sigurt se nuk do të zbulohej. Pas arrestimit të tij, hetimet zbuluan se ai ishte ndaluar në një postbllok shtatë vjet më parë në provincën e Trapanit.
“Por ai nuk u njoh nga policia që kontrolloi dokumentin e tij. Gjithçka dukej në rregull”. Kjo u zbulua nga prokurori i Palermos, Maurizio de Lucia, magjistrati që koordinoi hetimet që çuan në arrestimin e bosit mafioz më 16 janar 2023.
Zbulimi i prokurorit erdhi gjatë një takimi me fëmijët e shkollave të Casal di Principe, në provincën e Caserta-s, të cilët shkuan për ta dëgjuar në vilën e konfiskuar ku ndodhet Casa Don Peppe Diana, vendi kushtuar priftit të vrarë nga Camorra më 19 mars 1994.
“Messina Denaro ishte i bindur në faktin se policia kishte fotot e tij të vjetra, por kishte edhe nga ata që e paralajmëruan për lëvizjet e hetuesve. Duhet të pyesim veten se si ka ndodhur. Si ka mundësi që ka kaluar tridhjetë vjet i fshehur? Sot, angazhimi i prokurorisë së Palermos është të identifikojë kush e ka favorizuar Messina Denaron” , tha prokurori i Palermos.
“Sëmundja nuk kishte ndryshuar zakonet e të arratisurit”, shpjegoi ai, duke iu përgjigjur pyetjeve të fëmijëve që lexuan librin “Kapja – misteret e Matteo Messina Denaro dhe mafia në ndryshim” shkruar nga prokurori de Lucia.
Bosi mafioz i Cosa Nostra-s, Matteo Messina Denaro, vdiq më 25 shtator 2023, Ai u arrestua në janar të vitit të kaluar pas 30 vitesh në arrati.