Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar sot një takim me Komisionerin e Bashkimit Europian për Migrimin, Çështjet e Brendshme dhe Shtetësi, Dimitris Avramopoulos.
Takimi me dyer të mbyllura mes Kryeministrit Rama dhe Komisionerit Avramopoulos ka zgjatur rreth 60 minuta dhe tema kryesore e diskutimit mësohet se ka qenë kriza e emigranteve.
Vizita e Komisionerit Avramopoulos vjen ndërkohë që kriza e emigrantëve ka prekur pjesën më të madhe të vendeve të Bashkimit Evropian. Më i prekur nga kjo krizë është Greqia, pasi Maqedonia mbylli kufijtë e saj.
Një rrugë e re e refugjatëve që duan të shkojnë në Gjermani dhe në vendet e Evropës Veriore mund të jetë Shqipëria, megjithëse autoritetet shqiptare e kanë bërë të qartë se nuk do të lejojnë hyrjen e emigrantëve për shkak të pamundësisë për t’i pritur ata.
Qeveria shqiptare ka vendosur krijimin e Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët. Sipas njoftimit të qeverisë, ai do të jetë autoriteti i vetëm kompetent, vendimmarrës, për ankimet kundër të gjitha vendimeve të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët. Krijimi i këtij institucioni vjen kur kriza e refugjatëve kryesisht nga Lindja e Mesme, që po kalojnë nëpër Ballkan është zhvendosur në kufijtë jugorë të Shqipërisë.
Sipas axhendës të publikuar nga zyra e shtypit e Delegacionit të Bashkimit Evropian bëhet e ditur se Avramopoulos do të takohet me krerët e lartë të Shtetit.
Avramopoulos takohet sot me Presidentin Nishani, në presidencë. Axhenda e takimeve të tij vijon me kryediplomatin Ditmir Bushati ndërsa takimi me ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri do të zhvillohet në orën 11:15-12:00, te Garda e Republikës ku më pas do të kenë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp.
Komisioneri do të takohet edhe me Ambasadorët e Vendeve të BE-së rreth orës 13.00 ndërsa në orën 14.00 ai do të jetë në drekën pritëse nga Kryetari i Kuvendit Ilir Meta.