Analisti Mentor Nazarko i konsideron Ndihmëssekretarin amerikan i Shtetit për Çështje Europiane dhe Euroaziatike, James O’Brien dhe kryeministrin Edi Rama, si dy protagonistët kryesorë të Samitit të mbajtur në Shkup këtë të hënë.
Në një intervistë për “Newsline” në ABC News, Nazarko u shpreh se Shqipëria dhe SHBA mblodhën liderët e rajonit në këtë samit që kishte vulë BE-je, por BE ishte e përfaqësuar me drejtorin e zgjerimit.
Momenti i dytë që e spikati Shqipërinë, një prani të shtuar të faktorit shqiptar ka qenë investimi i koordinuar- supozoj- me amerikanët për atë që do të jetë konfigurimi i qeverisë së ardhshme në Maqedoninë e Veriut ku do ketë zgjedhje parlamentare dhe presidenciale. Rama u pa afër Kurtit pas një kohe ngrice mes tyre, por u panë edhe afër- me gjasë të koordinuar mes vedi, me shtysën e O’Brienit- supozoj po ashtu- me Arben Taravarin, kryetarin e ASH, një partie shqiptare kyç për nga shkon peshorja në zgjedhjet e ardhshme. Pse dhe O’Brien që u pa kokë më kokë me Kurtin në Davos ngjan i përfshirë në atë takim tresh? Sepse Kurti dhe Rama deri para këtij takimi ngjanin se mbështetnin dy subjekte të ndryshme- Rama-BDI dhe Kurti- opozitën shqiptare atje. Tani u panë bashkë në negociata me një parti kyçe si ASH.
Shqipëria pra arrin me siguri, me ndihmën e SHBA, edhe e koordinuar me Kosovën të peshojë se cilat do të jenë zhvillimet e ardhshme në Maqedoninë e Veriut.
Përfshirja e O’Brien, krahas Shqipërisë, Ramës, në një aktivitet si Samiti i Shkupit (BE takon Ballkanin me mblesërinë amerikane) tregon rikthimin me qasje proactive të Presidencës Biden, pra faktorit amerikan në Ballkan, që në 4 vjet e mbështeste nga jashtë dialogun. Me gjasë ky rikthim përcaktohet edhe nga frika e rikthimit të Trump në Shtëpinë e Bardhë, i cili favorizonte Ballkanin e Hapur (asokohe Minishengenin) me para apo financim amerikan. Shqipëria, bashkë me SHBA bëri kësisoj bashkë liderët e rajonit dhe forcoi faktorin shqiptar në Maqedoninë e Veriut që si dhe më herët ka në dorë kahjen e orientimit të vendit fqinjë”, theksoi ai./m.j