Kisha Orthodhokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar në lidhje me komentet apo tentativat që bashkëjetesa apo martesa mes homoseksualëve të miratohet me ligj në Shqipëri.
Në reagimin e Kishës Orthodhokse Autoqefale nënvizohet se asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë.
Sipas saj, ky nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror.
“Është më se e njohur se përjetësimi i njerëzimit ka qenë i bazuar në ekzistencën e dy gjinive dhe bashkimin e tyre. Asnjë kulturë, fe apo sistem ligjesh (Soloni, Platoni etj.) nuk e ka institucionalizuar bashkëjetesën homoseksuale si martesë. E panatyrshmja nuk bëhet e natyrshme me dekrete ligjore. Përkundrazi, një ligj i tillë fyen krijimin. Nuk është përparim shoqëror, por një konflikt me rendin natyror, e tatëpjetë. Kisha është e detyruar të artikulojë qartë konceptin dhe vlerën e martesës, rëndësinë e familjes dhe të lindjes së fëmijëve në përputhje me tekstet e saj të shenjta dhe traditën e saj shekullore (siç u deklarua në Sinodin e Shenjtë dhe të Madh të Kishës Orthodhokse në Kretë në vitin 2016)”, thuhet në reagim.