Nikolin Delia, aktor dhe gazeta-shitës, në 61-vjetorin e tij zgjodhi t’i dhurojë Lezhës një koncert të menduar nga ai në çdo detaj.
Në emisionin “Vizioni i Pasdites” ai rrëfen se aktrimi ka ‘bashkëjetuar’ me të që në vegjëli.
“Isha në klasën e 5 kur mësuesi i letërsisë donte të organizonte një aktivitet dhe më përzgjodhi si më i lëvizshmi mirëpo gjatë kësaj kohe dallova nga fëmijët e tjerë se isha më i shkathët dhe më tha rolin kryesor, që këtu fillon zanafilla e aktrimit”, tha ai duke nënvizuar që ka spikatur që në interpretimet e tij të para.
Idea e koncertit për artdashësit e Lezhës lindi fare rastësisht, siç ai tregon.
“Si çdo familje në shtëpi meqë ishin edhe festat reshta, po fillonim bënim edhe atë bilancin se çfarë mund të blinim, për festat e nëntorit, për festën e Krishtlindjes, Vitin e Ri edhe gruaja më thotë mua e di që ke harruar diçka, ke harruar ditëlindjen. Në këtë kontekst ccohem i them a ta ndryshojmë ditëlindjen time, ja po bëjmë një koncert i thashë unë për qytetarët e Lezhës dhe kështu u vendos”, tregon ai duke shtuar se skenarin e ka shkruar për 6 ditë, teksa miqtë dhe bashkëpunëtorët e ndihmuan me organizimin.
Një ide që lindi nga një bisedë familjare u konkludua në duartrokitjet e qytetarëve lezhianë.
“S’kisha emocione për të vetmen arsye sepse publiku lezhjan më do shumë jo vetëm në skenë, por edhe jashtë saj. U ndjeva jashtëzakonisht shumë sepse u duartrokita shumë”, rrëfeu ai.
Ndonëse talent i spikatur, ai rrëfen se jeta i mori tjetër rrjedhë.
“Pata mbaruar para viteve 90 një kurs regjisure dhe sa u ktheva autoritetet lokale të asaj kohe më vunë punonjës të kulturës, këtë rast si i thonë më vunë një punë në kurriz plus, të gazetave që t’i merrja në qytet t’i sillja në fshat”, tha ai.
Por, a ka pengje lidhur me aktrimin e lënë mënjanë?
“Jo, sepse edhe gjatë punës që jam duke shitur gazeta, në momentin që i jap klientit një gazetë e bëj për të qeshur, këtë e kam të lindur nga natyra”, tha ai.
Ai tregon se klientëve që iu fal të qeshura teksa iu jep gazetën ishin aty për ta duartrokitur teksa dhuronte spektakël.
“Në momentin që iu kam dhënë ftesën, se një pjesë iu kam dhënë edhe ftesa, edhe ato janë mrekulluar nga ftesa, ditën që dhashë shfaqjen i kam parë aty”, tha ai./m.j