Nga Andi Malasi
Për një shoqëri të fiksuar pas lajmeve “aksion”, videoja e publikuar nga Policia e Shtetit ku shfaqej një person i armatosur që grabiste një taksist shërbeu si një ngjarje spektakolare argëtimi dhe material për të shtyrë kohën në Facebook.
Videoja u përhap me shpejtësi si virus dhe sigurisht thirrjes së policisë për identifikimin e autorit i’u përgjigjën shumë qytetarë. Pikërisht këtu u zbulua ajo që nuk pritej dhe ndoshta surprizoi edhe vetë policinë: Grabitësi ishte një punonjës i uniformave blu, pjesëtar i forcave speciale të FNSH-së dhe aplikant për tu bërë pjesë e RENEA-s.
Përditë jemi mësuar të dëgjojmë raste kur policia arreston punonjës të saj për korrupsion dhe shpërdorim detyre, por ajo video ishte materializim me zë dhe figurë i një akti kriminal nga person me uniformë që duhet të mbrojë nga të tillë keqbërës, dhe jo të jenë vetë protagonistë.
Është e vërtetë se në dy vitet e fundit janë proceduar penalisht dhe administrativisht më shumë policë të korruptuar se ndoshta 20 e kusur vite demokraci në total. Por a mjafton kjo?
Hapi i parë mendoj se është hedhur, duke ndëshkuar abuzuesit, tashmë ka ardhur koha që të punohet më fortë drejt parandalimit. Në strukturën e policisë së shtetit të mos kemi më personazhe të tillë.
Në dy vitet e fundit, sipas statistikave zyrtare, janë proceduar penalisht apo janë ndërmarrë masa administrative ndaj 11 % të totalit të punonjësve të policisë. Plot 565 punonjës policie janë çuar për ndjekje penale, nga rreth 1800 procedime disiplinore.
Pak a shumë numri i ndëshkimeve është në të njëjtat nivele në vitet 2014 dhe 2015. Tendenca duket e njëjtë edhe në fillim të vitit 2016. Pra, po vijohet me ndëshkimin pa arritur parandalimin.
Nëse nuk arrijmë të parandalojmë suksesi i ndëshkimit do të zbehet, pasi tranzicioni nuk mund të zgjasë përgjithmonë.
Tashmë ka ardhur momenti të arrihet një strategji e re për parandalimin. Ka ardhur koha që testi i integritetit të punonjësit të policisë të mos jetë thjeshtë një hap për t’u kaluar para se të vishesh polic, por te jetë një mekanizëm që mban larg strukturës ata që nuk hyjnë në polici për të bërë policin.