Zyra e shtypit të Partisë Demokratike ka reaguar pas ironisë së kryeministrit Edi Rama i cili i pyetur për kryedemokratin Lulzim Basha gjatë konferencës për shtyp tha se ai është në gjumë.
“Njerëzit presin zgjidhje për hallet dhe problemet e tyre nga kryeministri, por ai nga njëri resort në tjetrin u ofron vetëm shfaqe bajate. Sillet si pronar i Shqipërisë, ndërsa çdo ditë shqiptarët marrin rrugët e emigrimit. Edi Rama do të hyjë në historinë e shtetit shqiptar si kryeministri që më shumë ministra dhe bashkëpunëtorë i ka brenda në burg se sa jashtë tij, prandaj për Edi Ramën kush nuk vjedh fle gjumë.
Nuk mund të ketë një qeveri të korruptuar dhe një kryeministër të ndershëm, prandaj për Edi Ramën, kush nuk bëhet mburojë e korrupsionit është i paaftë. Edi Rama ka hyrë në historinë e Shqipërisë si njeriu që kriminalizoi shtetin, prandaj për të, kush nuk është aleat me krimin në vjedhjen e zgjedhjeve, nuk bën për politikë.
Pas humorit dhe batutës së Ramës, fshihet frika nga drejtësia, që po ngushton lakun dhe, herët a vonë, do t’i shkojë çështjes së inceneratorëve dhe aferave të tjera korruptive deri në fund. Edi Ramën nuk e shpëton dot më as aleati i tij i kullave, as propaganda që i bëhet nga mediat që paguan me paratë e krimit dhe korrupsionit qe i ushqen”, thuhet në reagimin e PD zyrtare./m.j