Me një vendim të Këshillit të Ministrave është krijuar Komisioni Kombëtar për azilin dhe refugjatët, i propozuar nga ministri i Brendshëm, Sajmir Tahiri. Komisioni do të përbëhet nga përfaqësues të disa ministrive si ajo e Jashtme, e arsimit, mireqenies sociale si dhe e shendetesise.
Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të pikës 2, të nenit 22, të ligjit nr.121/2014, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”, me propozimin e ministrit të Punëve të Brendshme, Këshilli i Ministrave
Vendosi:
1. Krijimin e Komisionit Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët (në vijim Komisioni), si autoriteti i vetëm kompetent, vendimmarrës, për ankimet kundër të gjitha vendimeve të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët.
2. Komisioni kryesohet nga Komisioneri Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët, i cili është përfaqësues i kategorisë së lartë drejtuese dhe caktohet me urdhër të ministrit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, dhe përbëhet nga këta anëtarë:
– një përfaqësues i Ministrisë së Punëve të Jashtme;
– një përfaqësues i Ministrisë së Mirëqenies Sociale dhe Rinisë;
– një përfaqësues i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit;
– një përfaqësues i Ministrisë së Shëndetësisë;
– një përfaqësues i Shërbimit Informativ të Shtetit;
– një përfaqësues i Komitetit Shqiptar të Helsinkit.
3. Komisioni merr vendim me shumicën e votave të anëtarëve të tij dhe votimi është i hapur. Komisioneri dhe anëtarët e Komisionit kanë të drejtën e një vote.
4. Komisioneri Kombëtar për Azilin dhe Refugjatët organizon e drejton mbledhjet e Komisionit dhe merr masa për zbatimin në kohë të vendimeve të tij.
5. Anëtarët e Komisionit caktohen nga institucionet e përcaktuara në pikën 2, për një periudhë 1-vjeçare, me të drejtën e rinovimit të mandatit të tyre ose të caktimit të një përfaqësuesi të ri, brenda 30 ditëve para përfundimit të mandatit.
6. Komisioni mblidhet në mjediset e ministrisë përgjegjëse për azilin dhe refugjatët, për shqyrtimin e ankimeve të depozituara kundër të gjitha vendimeve të autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, sipas procedurës dhe afateve të përcaktuara në ligjin nr.121/2014, “Për azilin në Republikën e Shqipërisë”.
7. Komisioni funksionon në bazë të një rregulloreje të brendshme, të miratuar me shumicën e votave të anëtarëve të tij.
8. Komisioni, gjatë ushtrimit të funksioneve të tij, asistohet nga një specialist i autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, me detyrën e sekretarit, i cili caktohet nga drejtuesi i këtij autoriteti.
9. Autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët i paraqet Komisionit dokumentacionin e plotë të azilkërkuesit që ankimon vendimin e dhënë nga ky autoritet.
10. Përpara dhënies së vendimit, Komisioni dëgjon azilkërkuesin, lidhur me pretendimet e tij.
11. Komisioni zbaton të njëjtat parime ligjore e procedurale që zbatohen nga autoriteti përgjegjës për azilin dhe refugjatët.
12. Komisioni merr vendim brenda 30 ditëve, nga data e paraqitjes së ankimit. Vendimi i arsyetuar i Komisionit i dërgohet azilkërkuesit, nëpërmjet autoritetit përgjegjës për azilin dhe refugjatët, dhe është përfundimtar, lidhur me ankimin administrativ. Ky vendim mund të ankimohet nga azilkërkuesi në gjykatën kompetente për çështjet administrative, në përputhje me legjislacionin në fuqi.
13. Vendimet e Komisionit marrin vulën e ministrisë përgjegjëse për azilin dhe refugjatët.
14. Ngarkohen Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Punëve të Jashtme, Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Ministria e Arsimit dhe Sportit, Ministria e Shëndetësisë dhe Shërbimi Informativ i Shtetit për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.