Policia ka ndëshkuar me gjobë 40,000 lekë një 21-vjeçar në Elbasan, i cili bëri drift me automjet, në qendër të banuar.
I riu gjithashtu është shoqëruar në komisariat, ndërsa makina me të cilën bëri manovrat e rrezikshme për një video në TikTok, i është sekuestruar në cilësinë e provës materiale.
Njoftimi i policisë:
Elbasan
Bëri drift me automjet, në qendër të banuar, ndëshkohet me masë administrative 40 000 lekë dhe procedohet penalisht për prishje të qetësisë publike, 21-vjeçari.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Në lidhje me një video të publikuar në portalin “Tik-Tok”, në të cilën shfaqet një automjet duke kryer manovër të rrezikshme (drift), në bulevardin “Aqif Pasha”, sqarojmë se shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan kanë kryer veprimet për identifikimin e drejtuesit të automjetit.
Drejtuesi i automjetit, shtetasi M. C., 21 vjeç, banues në Elbasan, është shoqëruar në Komisariat, bashkë me automjetin e tij.
Në vijim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Elbasan referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi në gjendje të lirë ndaj shtetasit M. C., 21 vjeç, banues në Elbasan, për veprën penale “Prishja e qetësisë publike”.
Gjithashtu, nga specialistët e Policisë Rrugore iu vendos masa administrative 40 000 lekë, bazuar në nenin 139 të Kodit Rrugor.
Automjeti u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Drejtoria Vendore e Policisë Elbasan fton qytetarët të denoncojnë në numrin 112 dhe në Komisariatin Dixhital, çdo rast të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor, dhe i garanton ata se do të reagojë menjëherë dhe konform ligjit./m.j