Dy persona që ishin shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge në Itali, kanë rënë në pranga në Përmet dhe Tiranë në kuadër të operacionit “The Zone”
Të arrestuarit janë Dritan Idrizi dhe Eljon Bejo, të cilët ishin pjesë një grupi kriminal në Itali, të implikuar në shitje dhe trafikim të sasive të mëdhaja të heroinës dhe kokainës.
“Si rezultat i aksioneve të shpejta, të koordinuara dhe profesionale të shërbimeve të Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale të DPPSh-së, si dhe i shkëmbimit të informacioneve, ndërmjet Interpol Tiranës dhe partnerëve italianë, brenda 24 orëve, në bashkëpunim me policitë vendore të Tiranës dhe të Gjirokastrës, janë finalizuar 2 operacione për kapjen dhe vënien në pranga të shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, nga Interpol Roma. Konkretisht:
-në Tiranë, në kuadër të operacionit “Alias”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Dritan Idrizi alias Dritan Xhepshiu, 37 vjeç. Gjykata e Breshias i ka caktuar 37-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se gjatë periudhës 01.10.2019-31.01.2020, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka trafikuar sasi të mëdhaja të lëndës narkotike kokainë, kryesisht në qytetet Bergamo dhe Breshia;
-në Përmet, në kuadër të operacionit “The zone”, u kap dhe u vu në pranga shtetasi Eljon Bejo, 40 vjeç. Gjykata e Breshias i ka caktuar 40-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, pasi akuzohet se gjatë periudhës 07.10.2019-26.10.2019, në bashkëpunim me shtetas të tjerë, ka shitur lëndë narkotike heroinë dhe kokainë, në doza, me vlerë rreth 17 000 euro.
Interpol Tirana po bashkëpunon me Interpol Romën, për të ekstraduar 2 shtetasit, në Itali”, njofton policia.
/a.r