52-vjeçarja Agata Carbonara, e cila mbeti e plagosur në rrethana të paqarta, dyshohet nga një plumb qorr në bulevardin “Zogu i Parë” në Tiranë natën e ndërrimit të viteve, u largua këtë të enjte nga Shqipëria.
Spitali i Traumës ku ajo po merrte mjekim që prej 1 janarit, njoftoi se turistja italiane ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore dhe e stabilizuar.
52-vjeçarja u transportua me autoambulancë dhe ekip mjekësor drejt një helikopteri sanitar, me të cilin u dërgua për në Itali, sipas kërkesave të familjarëve.
Këta të fundit në mediat italiane janë shprehur të tronditur për ngjarjen e rëndë që u regjistrua teksa ajo festonte ndërrimin e viteve në Shqipëri.
Hetimet e deritanishme nuk kanë arritur të çojnë në identifikimin e personit që ka shtënë me armë zjarri.
Megjithatë hetuesit kanë përcaktuar se plagosja ka ndodhur nga një predhë e kalibrit të vogël, e ardhur nga lartësia, sa kohë vrima e plagës është hyrje nga lart-poshtë.
Grupi hetimor ka sekuestruar kamera të shumta sigurie në zonë, si dhe ka marrë disa dëshmi, por që deri më tani ende nuk ka arritur të identifikojë personin që ka qëlluar.
/f.s