Në Portin e Durrësit, tragetet nisen këtë të enjte (4 janar) lundrimet e dyfishta, vajtje-ardhje brenda ditës drejt Barit e Ankonës. Kapiteneria bën të ditur se po menaxhohet fluksi i udhëtarëve. Ndërsa emigrantët që po largohen pas pushimeve shprehen pozitiv për çmimet dhe atmosferën festive në Shqipëri.
“Kaluam shumë mirë, tani po ikim. Atmosfera në Tiranë shumë e këndshme. Radhë nuk ka, gjithçka shumë mirë”, thanë ata.
Në terminal janë hapur 22 sportele operacionale në dispozicion të përpunimit të pasagjerëve dhe mjeteve. Lundrimet dyfishe të trageteve do të operojnë përgjatë datave 4 deri më 7 janar. Ndërkohë që është kryer dhe aplikimi i masave shtesë, kryesisht në parametrat e sigurisë dhe të shërbimeve.
Kapshticë
Emigranët që kaluan pushimet në Shqipëri po kthehen në vendet e punës. Në Kapshticë gjatë 24 orëve të fundit kanë kaluar drejt Greqisë 5800 shtetas. Autoritetet kanë punuar me 3 sportele në dalje e tre në hyrje. Pritja për automjetet nuk zgjat më shumë se 5 minuta.
“Erdhëm për dy ditë dhe po kthehemi se kemi punë. Kaluam mirë, radhë nuk ka, po lëvizim normalisht”, thanë emigrantët.
Kakavijë
Edhe në Kakavijë fluksi po menaxhohet nga autoritetet greke dhe shqiptare pa krijuar radhë. Gjatë 24 orëve të fundit nga Kakavija kanë dalë 4146 shtetas shqiptarë dhe kanë hyrë 2333 persona.
/f.s