Specialistët për Krimet e Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Elbasan dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore Tiranë, bënë dokumentimin e plotë të ngjarjes së ndodhur në fshatin Shalës, ku u gjet i vdekur në banesë shtetasi B.SH, 56 vjeç, banor i zonës.
Ministria e Punëve të Brendshme njofton se si rezultat i një pune të mirëfilltë operative-proceduriale me qëllim zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes dhe pas një sërë veprimesh hetimore, rezultoi se autorët e kësaj ngjarje dyshohet të jenë shtetasit Naim Çekrezi, 56vjeç dhe Ilir Çekrezi, 25 vjeç, të dy banues në Cërrik.
Këta shtetas dyshohen t’i kenë shkaktuar vdekjen e menjëhershme nga goditja me mjete të fort shtetasit B.SH., gjatë vjedhjes së banesës së tij, dhe më pas kanë inskenuar vendngjarjen duke e bërë të dukej si aksidentale. Nga hetimi rezultoi se në njërën dhomë të banesës së viktimës autorët kishin vjedhur një sasi prej 250.000 lekësh (të reja) dhe 1880 Euro.
Gjatë kontrollit të ushtruar në një ullishte, grupi hetimor ka gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale:
1. rrobat e përdorura në momentin e kryerjes së krimit;2. 250.000 lekë të reja;3. 1880 Euro; 4. 1 aparat celular.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Elbasan për veprën penale “Vjedhje me pasojë vdekjen, kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga Nenet 141 dhe 25 të Kodit Penal.