Në zbatim të masave të hartuara në kuadër të planit operacional “Sundimi i ligjit”, për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve kufitare, shërbimet e Komisariatit të Policisë Pogradec dhe ata të Policisë Kufitare, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve dhe të Sektorit të Policisë Rrugore të DVP Korçë, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Taksisti”, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit M. M., 51 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë.
Shërbimet e Policisë, në bazë të informacioneve të siguruara nga inteligjenca informative se një shtetas po lëvizte në dalje të qytetit të Pogradecit, me një automjet taksi, me të cilin dyshohej se mund të trafikonte në drejtim të Maqedonisë së Veriut, lëndë narkotike dhe armë zjarri, koordinuan veprimet dhe tek vendi i quajtur “Lumi i Tërhanit”, Pogradec, bënë ndalimin e këtij automjeti, me drejtues shtetasin M. M.
Gjatë kontrollit në bagazhin e automjetit, u gjetën 8.2 kg lëndë e dyshuar narkotike kanabis, e futur në dy çanta, dhe 1 armë zjarri automatik model “Scorpions”, me krehër me fishekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.
Veprimet procedurale për këtë rast u kryhen nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Korçë, të cilët po vijojnë punën për identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
/a.r