Tension shumë i lartë pas vrasjes në Bejrut të Saleh al-Arouri, numrit dy të Hamas. Izraeli nuk pranon të marrë përgjegjësinë për sulmin me dron, por një këshilltar i kryeministrit Benjamin Netanyahu e quajti operacionin “një shënjestrim kirurgjikal”.
Ushtria e shteti hebre është vendosur tashmë në “gatishmëri të lartë” për ndonjë hakmarrje të mundshme. Militantët e Hezbollahut që operojnë në Liban kanë kërcënuar Izraelin duke u zotuar se vrasje e numrit dy të Hamas nuk do të mbetet pa ndëshkim.
Këtij reagimi i është bashkangjitur edhe Irani, me ministrin e Jashtëm që thotë se vrasja e Saleh al-Arouri në Bejrut ishte një operacion terrorist burracak nga Izraeli.
“Kjo tregon që regjimi sionist nuk ka arritur asnjë prej synimeve të tij pas shumë javëve të mbushura me krime lufte, gjenocid dhe shkatërrim në Gaza dhe Bregun Perëndimor, pavarësisht mbështetjes së madhe nga Shtetet e Bashkuara”, njofton zyrtari Iranian Hossein Amir-Abdollahian.
Mediat raportojnë se Izraeli nuk ka informuar Amerikën përpara sulmit kundër numrit dy të Hamas. Për këtë zhvillim ka reaguar dhe presidenti francez, Emmanuel Macron, që kërkoi nga Tel Avivi që të shmanget një përshkallëzim apo konflikt i drejtpërdrejtë me Libanin.
Ndërkohë, Hamasi dhe grupet e tjera palestineze që luftojnë kundër Izraelit kanë përdorur spitalin al-Shifa të qytetit të Gazës si qendër komandimi. Këtë e raporton New York Times duke cituar burime të inteligjencës amerikane.
Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë të papërgjegjshme idenë e zhvendosjes së palestinezëve nga Gaza, ndërsa ushtria izraelite lëshoi disa fletushka duke kërkuara nga civilët që të largohen edhe nga disa zona në jug të enklavës.
/a.r