Hyjnë në fuqi ndryshimet e rregullores së parlamentit, e cila do të nisë të zbatohet sapo të nisë sesioni i dimrit në 15 janar.
Sipas ndryshimeve që u votuan në mesin e dhjetorit të kaluar është përcaktuar së pari se mbledhjet e komisioneve parlamentare do të zhvillohen nëpërmjet mjeteve të komunikimit elektronik, jo vetëm në rastet e “fatkeqësive natyrore”, por edhe në çdo rast tjetër të pamundësisë së zhvillimit fizik të tyre.
Ky ishte rasti kur në dy muajt e fundit, për shkak të protestave të opozitës, mbledhjet në disa raste dështuan. Po kështu hyjnë në fuqi masat ndëshkimore përjashtim nga pjesëmarrja në komisione ose në seancë plenare deri në 10 ditë, 30 ditë ose 60 ditë.
Këto masa do të jepen në rastet kur: a) deputeti përdor dhunë ndaj deputetëve të tjerë, anëtarëve të Këshillit të Ministrave, punonjësve të shërbimit të seancave, të Gardës së Republikës ose punonjësve të medieve. b) kur deputeti përmes veprimeve të qëllimshme dëmton pajisjet dhe orenditë ose heq funksionalitetin e tyre logjistik në sallën e seancave/mbledhjes. c) kur deputeti kryen në mënyrë të përsëritur brenda një sesioni parlamentar shkeljet e parashikuara me sipër.
Masa disiplinore “përjashtim nga pjesëmarrja në komisione ose në seancë plenare deri në 60 ditë do te jepet në rastet: kur deputeti përdor lëndë apo mjete piroteknike, tymuese, bojëra dhe materiale apo mjete të tjera të ngjashme brenda sallës së zhvillimit të punimeve të Kuvendit apo mbledhjes së komisionit apo brenda mjediseve të Kuvendit.
/a.r