Jo pak publikime janë shkruar për marrëdhënien mes lideres së ekstremit të djathtë francez Marine Le Pen dhe Presidentit rus Vladimir Putin.
Sipas një artikulli të publikuar në nisje të 2024-ës nga Washington Post, politikania franceze këmbëngul të mbajë marrëdhënie të ngushta me Kremlinin, me synimin për të ulur shkallën e mbështetjes së Parisit zyrtar ndaj Ukrainës.
Sipas hetimit të gazetës amerikane, Rusia ka planifikuar një operacion për rrëzimin e Emmanuel Macron në Francë, në të cilin partia e ekstremit të djathtë të Marine Le Pen luan një rol të rëndësishëm.
Gazeta citon dokumentet e Kremlinit të marra nga një shërbim evropian i sigurisë që implikojnë rrethin e ngushtë të Putinit, metodat e të cilit kombinojnë ndikimin e mediave sociale dhe mbështetjen për partitë e ekstremit të djathtë, në strategjinë anti-Macron.
Sipas WP, qëllimi më i gjerë i këtij plani është destabilizimi i Evropës. “Të gjitha qeveritë e Evropës Perëndimore do të ndryshojnë“, shprehet i sigurtë Jean-Luc Chafozet, një ish-deputet i BE-së i lidhur me partinë e Le Pen, i cili citohet nga gazeta amerikane.
Qershorin e kaluar, raportuesi i qeverisë Macron në një komision parlamentar e kishte përshkruar partinë e Le Pen si një “rrip transportues” të qëllimeve të Rusisë dhe këmbënguli në “përafrimin e partisë së saj me diskursin rus“.
“Partia e Le Pen është me të vërtetë përfaqësuesja e Kremlinit në Francë dhe luan një rol parësor në transmetimin e propagandës së Putinit”, u tha në një reagim të partisë së Emmanuel Macron në një mesazh në platformën X./m.j