Aktori i njohur i teatrit “Migjeni”, Bruno Shllaku, i cili u anëtarësua dje në Partinë Socialiste, shpjegon arsyet që e çuan në këtë vendim. Ai thotë se është diskriminuar nga Partia Demokratike, edhe pse ishte familje e persekutuar, ndërsa shprehet se beson në reformat e qeverisë Rama.
“Mua më kanë diskriminuar në një mënyrë të tillë që as në kohën e Partisë së Punës nuk e kam pasur këtë diskriminim që më kanë bërë emisarët e Partisë Demokratike. Unë jam nipi i Gjon Shllakut, një familje që ka 30 vjet burg, që është dënuar me pushkatim dhe jam diskriminu nga njerëz të paaftë duke më bërë inekzistent në teatrin “Migjeni”. Më kanë bojkotuar dhe bllokuar gjatë gjithë këtyre viteve. Kjo ishte një nga arsyet, jo për të kërkuar strehim politik, në mënyrë absolute jo. Por kam kuptuar se e vetmja shpresë dhe i vetmi qiri që bën dritë për mua është Partia Socialiste. Në këtë parti nuk kam parë ato që kam parë në gjithë këto vite te PD-ja. Më kanë sulmuar falanga të paaftësh që e kanë shkatërruar teatrin “Migjeni”, duke eleminu me çdo kush forcat progresiste, duke filluar nga unë, nga Paskulina Shllaku, që është gruaja ime dhe çdo shkëndijë tjetër e talentuar duke e mbushur me militantë që në fund e shkatërruan atë teatër”, ka thënë ai. Për gazetën ‘Panorama’, aktori tregon se ka qenë bindja e tij personale që e ka shtyrë drejt anëtarësimit në PS.
Aktori i njohur rrëfen edhe një pjesë të historisë së futjes për herë të parë në teatrin e Shkodrës, ku përmend këtu se ka qenë një kontribut i madh edhe i babait të ministrit të jashtëm aktual, Ditmir Bushati.
“Por çudia më e madhe është se nëse Sulejman Bushati, sekretari i parë i Komitetit të Partisë në Shkodër, babai i Ditmir Bushatit, vendoste veton e tij se Bruno Shllaku duhet të hyjë në teatër se më kanë folur të gjithë për talentin e tij dhe ngrihet një ish-komunist E.K., i cili ka vdekur dhe i përgjigjej Bushatit duke thënë se: Nëse vjen në teatër Bruno Shllaku, unë dorëzoj teserën e partisë! S’mund ta mbushim teatrin me të prekur politikisht! Dhe Sulejman Bushati i përgjigjet se Bruno Shllaku do vijë në teatër, ti mendoje mirë se çfarë do të bësh me teserën! Dhe kjo bëhet fjalë në 1981. Ky ishte Sul Bushati. Kjo më ka ndodhur me emisarët e partisë së punës.