Një 26- vjeçar ka dhunuar një polic në qendër të qytetit të Fierit mbrëmjen e kësaj të enjteje. I riu, i identifikuar si Daniel Braçi ushtroi dhunë ndaj policit Shkëlqim Jahelezi, pasi ky i fundit nuk e lejoi të kalonte në një segment të bllokuar të rrugës.
Sipas informacioneve zyrtare, rreth orës 19:20, vendi që njihet si “Ish globi”, ishte bllokuar nga shërbimet e Policisë për shkak se po zhvillohej një koncert.
Duke drejtuar automjetin “Volkswagen”, Daniel Braçi iu afrua punonjësit të Policisë dhe pasi u ndesh me perimetrin e sigurisë, doli nga automjeti dhe e qëlloi atë me grushte duke i shkaktuar dëmtime të rënda në fytyrë dhe në gojë.
Në kushtet e vetëmbrojtjes inspektori hapi zjarr ndaj tij me armën e shërbimit duke e plagosur në këmbë.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit kanë ndërhyrë uniformat blu, të cilat e dërguan 26- vjeçarin në spital për ndihmë mjekësore e tashmë ai ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Po njëlloj, edhe polici u shoqërua për ndihmë mjekësore e më pas për në komisariatin e qytetit për të dhënë shpjegime për ngjarjen.
Kjo nuk është hera e parë që Daniel Braçi përfshihet në një ngjarje kriminale. Nga burime është mësuar se në vitin 2019, i riu, pas një konflikti të familjes së tij me një tjetër familje, i ka marrë armën e shërbimit një efektivi policie.
Teksa ky i fundit po ndihmonte të plagosurit të futeshin në ambulancë 26 vjeçari ka qëlluar drejt familjes me të cilën ishin konfliktuar të afërmit e tij. Nga të shtënat, asokohe një person mbeti i plagosur.
Ngjarja e djeshme po hetohet si nga prokuroria e rrethit, ashtu edhe nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore.
/a.r