Isidor Heta, personi që shkaktoi aksidentin me eksortën që shoqëronte djalin e gjyqtares Irena Gjoka, rezulton se ka shërbyer si pjesë e gardistëve pranë Sali Berishës në 21 Janar të vitit 2011. Burime bëjnë me dije për Zërin se Heta ka mbajtur dhe gradën e nënoficerit të eskortës së Berishës.
Në hetimet për aksidentin që ndodhi mbrëmjen e djeshme, janë të përfshirë dhe agjentë të SHISH, edhe pse zyrtarisht ngjarja është duke u hetuar si aksidentale.
Policia mësohet se ka gjobitur Hetën, si dhe ka sekuestruar makinën të cilën ai drejtonte.
Heta mësohet gjithashtu se ka shërbyer deri dy vite më parë si nënoficer Batalioni në Forcat e Armatosura dhe është 42 vjeç.
“Udhëtoi mbas nesh që në Rinas e deri në Selitë, i kemi bërë thirrje që të ndalte manovrat”, ka qenë dëshmia e gardistëve, ndërkohë që pritet të kontrollohen të gjitha kamerat e sigurisë në rrugën që është përshkruar nga mjetet, për të kuptuar më shumë mbi dinamikën e aksidentit.
Vetë Heta, ka deklaruar se ka humbur kontrollin e mjetit për shkak të lagështirës në rrugë.
“Kishte shumë lagështirë në rrugë dhe humba kontrollin”, mësohet të jetë shprehur polici.
Në Rinas, Garda e Republikës, thuhet nga Policia Kufitare se priti djalin e gjyqtares Irena Gjoka, e cila prej ditësh është nën ruajtje dhe mbrojtje. Mësohet se për hetimin e këtij aksidenti janë angazhuar dhe agjentë të SHISH, ndërkohë që nga vetë Irena Gjoka deri në momentet që flasim nuk ka pasur një reagim./zeri