Nga Jakin Marena
Kuvendi i Shqipërisë votoi pro autorizimit të kërkuar nga SPAK për të arrestuar Sali Berishën, ish kryeministrin e Shqipërisë për tetë vite me radhë, nën akuzën e korrupsionit pasiv.
Shkresa ka shkuar me urgjencë në SPAK dhe kërkesa për Gjykatën e Posaçme është ndryshimi i masës së arrestit nga “detyrim paraqitje’ në ‘arrest shtëpie’ për kreun aktual të Foltores. Pra siç po e kërkon me insistim dhe vetë Berisha e mbështetësit e atij. Por mund të jetë dhe në qeli siç e duan gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë vendit, pasi në fillim të javës së ardhshme, pikërisht më 26 dhjetor, është vendosur mbajtja e seancës nga ana e Gjykatës. Nuk mund të parashikohet çfarë vendos gjyqtarja Irena Gjoka, mund ta çojë dhe në qeli, pasi e ka dhe këtë kompetencë.
Nuk hyjmë në ‘sinoret’ e SPAK apo të Gjykatës së Posaçme në lidhje me zgjedhjen që do të bëjnë mes arrestit shtëpiak apo arrestit në qeli. Megjithëse për ‘forcë zakoni’ po kujtojmë se një akuzë e tillë si ajo e korrupsionit pasiv, parashikon një dënim deri në 12 vite. E tha vetë SPAK në kërkesën që dërgoi në Kuvend për marrjen e autorizmit për arrestin ndaj Berishës.
Dhe zakonisht njerëzit e thjeshtë për këtë akuzë, janë mbyllur në qeli derisa është dhënë dënimi përfundimtar, janë shpallur të fajshëm ose jo. Por meqë Berisha ka bërë “vezën e kuqe” në këtë vend, jo në kuptimin pozitiv të fjalës, por në atë më negativin e mundshëm, pasi ka bërë korrupsion madhor të pergjakshëm, dhe mund të përfitojë një masë arresti më të butë.
Plak njeri do të thotë dikush, dhe nga ata që kanë qënë kundërshtarë të tij, megjithëse mosha nuk e ka penguar që të dalë si ‘sarhosh’ tre herë në ditë në media, pa u ulur madje as në karrige për të shpjeguar se përfitimi nga ana e dhëndrit të tij i shumës 5.4 milionë euro nuk është vepër e tij, nuk është shkelje ligji, por një e mirë që i është bërë në kuadër të së mirës së përgjithshme që dhe bashkëshorti i vajzës së tij të hyjë tek ‘shtresa e mesme’ e shoqërisë shqiptare.
Kush e dëgjon këtë shkul flokët që i kanë mbetur, fshihet nga vështrimi ironik i fëmijëve të vet për pamundësinë e prindërve të tyre për të qënë ‘shtresë e mesme’ si Argita, ose kalon në një depresion të brendshëm që të shfaqet më pas dhe në ndonjë sëmundje nervore.
I moshuari Berisha që kërkon që të mëshirohet me arrest shtëpie apo zyre, kështu po e përhap si ratësisht lajmin dhe në mediat afër tij duke hedhur në ‘lojë’ informacione të tilla se po zhvendos krevatin ‘tek’ në zyrën e tij në selinë e PD buzë Lanës, shkakton dhe kaos në Parlament, duke djegur karrige dhe ndezur tymuese, duke treguar se për të ‘vitet janë numra’.
Por me gjithë këto probleme që përmendëm më sipër, janë SPAK dhe gjykata e Posaçme ata që vendosin se ku do të ‘strehohet’ Berisha këtë fund viti, ku do ta bëjë ‘gëzuar’ vitin e ri, në shtëpi i izoluar apo në qeli i mbyllur. SPAK e bëri kërkesën për arrest në shtëpi. Në fund të herës vendos gjyqtarja Irena Gjoka se ku do të qëndrojë Sali Berisha.
Ajo që duhet ta dinë mirë tashmë institucionet më të larta të hetimit dhe të gjykimit në Shqipëri është fakti se Berisha nuk njeh asnjë vendim të drejtësisë. Nuk e ka për herë të parë, pasi kurrë nuk i ka njohur. Madje e deklaron me krenari këtë. Do ishte më mirë që në vend që ta ta zvarrisin nëpër ‘stacione’ arrestin e tij, duke e lënë në shtëpi, ta kryenin njëherë e mirë këtë punë, sepse sërish do të jenë këto organe drejtësie që do kërkojnë arrest në qeli. Berisha s’njeh asnjë vendim.
Shumëkush e njeh atë fabulën e Nastradin Hoxhës, të cilin e kishin dënuar në vaktin e vet me vdekje, ku ekzekutimi do bëhej me varje, nën akuzën e fyerjes së Sulltanit dhe korruptimit të zyrtarëve të lartë të asaj kohe me qëllim përfitimin material. Ishte koha atëherë kur të dënuarit i kërkohej plotësimi i një dëshire. Nastradini, refuzoi të gjitha dëshirat që mund të ekzistonin, dhe kërkoi vetëm një: që ekzekutimin varje ta bënin në lisin (pemën) që i pëlqente atij. Zgjati me javë ‘kërkimi’ i pemës që i pëlqente Nastradinit të varej, por asnjë nuk i pëlqente. Pasi nuk i pëlqente të vdiste në fakt. Dhe falë mençurisë së tij shpëtoi jetën, por u dëbua.
Kështu dhe Berisha. Nuk i pëlqen asnjë vendim i gjykatës, vendim i bazuar në akuzën ndaj tij për korrupsion pasiv në favor të dhëndrit të tij, Jamarbër Malltezi për privatizimin e ish kompleksit sportiv “Partizani”. Por kreu i Foltores kërkon me dhunë të realizojë dëshirën e tij, kërkon që duke kërcënuar prokurorët e gjyqtarët e Posaçëm të shpallet i pafajshëm, pa nisur akoma hetimi dhe gjykimi me themel i korrupsionit të tij të përgjakshëm.
Berishën e presin hetime dhe dosje të tjera të rënda në ngarkim të tij. Që nga dosja e vrasjes së mbi 200 djemve të Tropojës, mes të cilëve vëllezërit Haklaj, familja e të cilëve gati u shua. Eshtë dosja e shpërthimit të Gërdecit nën hetim, kanë vdekur 26 njerëz të pafajshëm e plagosur mbi 300 të tjerë nga shpërthimi i biznesit të municioneve të djalit të tij sipas akuzës.
Eshtë dosja e vrasjes së 4 demonstruesve të opozitës më 21 janar 2011 nga Garda, për të cilën ka kërkuar hetim dhe gjykim të thelluar deri në majën e piramidës drejtuese që urdhëroi Gardën të qëllonte mbi turmën, dhe Gjykata e Strasburgut. Eshtë dosja e aferës CEZ-DIA, është hetimi i pasurisë së tij si dhe financimi rus me vlerë gjysmë milioni dollarë për destabilizimin e situatës në Shqipëri dhe rajon. Ka dhe dosje të tjera, të cilat janë të gatshme. Pra ka bëma të Berishës që e justifikojnë me plot kuptimin e fjalës mbylljen e tij në qeli.
Dhe Berisha po e ndjen ‘tringëllimën’ e prangave afër tij, familjarëve e ortakëve të tij, dhe është përgatitur për çdo rast. Nuk themi se ka nisur të vishet trashë për të përballuar të ftohtin e qelisë, apo ka sistemuar ushqimet dhe ilaçet që do marrë me vete për të përballuar burgun. Ndoshta dhe këto masa i ka marrë, por me sa shohim dhe me kërkesën e SPAK, është ende herët për këto.
Masat që ka marrë Berisha, e të cilat përbëjnë lajm janë ato të ‘amaneteve’ që po lë në grupimin e tij politik, Foltorja, për periudhën që ai do jetë ose në arrest shtëpie, ose në qeli dhe për më tepër në lidhje me atë që pret pas vendimit përfundimtar për akuzën apo akuzat që ngrihen kundër tij.
Si punë të parë Berisha ka trashëguar “Foltoren”, duke e lënë brenda familjes, në dorë të vajzës së tij Argita Berisha Malltezi. Ky është një fakt i kryer, ndonëse Berisha bën “pirueta” se vajza nuk konkurron me babain, duke fshehur faktin që babai do të jetë në arrest, e më vonë ndoshta dhe në burg. E kanë pranuar dhe vetë ithtarët e Berishës, se Argita do të jetë një drejtuese e mirë.
Faktin se Foltorja po trashëgohet nga Berisha tek vajza Argita, e kanë pranuar dhe kundërshtarët brenda PD, të cilët kanë nisur të largohen, disa në drejtim të ‘paditur’ dhe në hallin e vet, disa në drejtim të PD zyrtare të drejtuar nga “armiku” Lulzim Basha. Po ashtu dhe demokratët e thjeshtë, të cilët besonin deri më tani tek Berisha, e kanë braktisur atë. E kanë parë se ky grupim nuk është i tyre, është pronë e familjes Berisha. Dhe kjo braktisje u vu re pikërisht në ditët kur Berisha kishte më shumë se kurrë nevojë për pjesëmarrjen e tyre, dy protestat para kryesisë së Kuvendit dhe Parlamentit shqiptar, kur u dha leja e kërkuar nga SPAK për arrestimin e tij. U bënë apo nuk u bënë 100 vetë në këto 2 tubime. Ndërsa aleatët apo Bardhi as që u dukën.
Gjithsesi Berishës i duhet thjeshtë dhe vetëm drejtimi i Foltores. Atë e garantoi përmes kalimit të ‘shiritit të kapitenit’ në krahun e Argitës. Një masë e marrë që në krye të herës, pasi kërkon ta përdorë dhe më tej Foltoren si një ‘koracë mbrojtjeje’ për hallin e tij me drejtësinë por edhe me partnerët ndërkombëtarë që e kanë shpallur dhe e trajtojnë si ‘non grata’.
Me arrestin që ‘garantoi’ me shumë sukses e trashëgiminë e Foltores te Argita, Berisha i realizoi dy qëllime në vetëvete, të rëndësishme. Tani i duhet të realizojë dhe një qëllim të tretë: të gjëjë dy avokatë të mirë, po të mirë ama, që ta mbrojnë në përballjen sy për sy me drejtësinë. Se këta prokurorët e gjyqtarët e posaçëm sikur s’dëgjojnë shumë nga ‘veshi’ për kërcënimet e Berishës. Nuk pyesin dhe nuk të falin, nuk e hanë presionin ndaj duhen dy avokatë të mirë që të mos bëjnë ‘amin’ për gjithçka kërkon Berisha.
E ka emergjencë Berisha gjetjen e dy avokatëve shumë të mirë, pasi ka akuza tepër të rënda mbi kurriz, dhe do t’i duhen avokatë të mirë që t’ia lehtësojnë sa më shumë dënimin, jo ta shpëtojnë, pasi Berishës nuk i bën derman asnjë avokat në rruzullin tokësor, me dosjet e rënda që ka në kurriz dhe që tashmë me sa duket do hapen njëra pas tjetrës.
Nuk i duhen avokatë ithtarë, militantë, që kanë zënë studiot televizive dhe bëjnë si shpirt i keq duke u përplasur me panelistët e tjerë, por dhe duke treguar se janë tërësisht të shkëputur nga realiteti. Për dy avokatë ka nevojë Berisha, që dhe t’i japin ndonjë mendim si të sillet, pra të imponohen, jo të jenë të varur përjetësisht nga listë-pagesa e tij dhe të birit, me apo pa mbrojtje të garantuar. Fundja meqë ka lekë pa fund, Berisha mund të zgjedhë avokatët më të mirë, sado shtrenjtë të kushtojnë. Paratë për ditë të zeza janë, dhe s’ka ditë më të zezë për Berishën se kjo.
Pjesa e këshilltarëve nuk përbën problem. Pasi në izolim në shtëpi apo në qeli, Berishës i ndalohet t’i këshillojë, dhe ata të mbajnë shënime. Nuk përbën problem puna e këshilltarëve.
Gjithsesi, jemi në pritje të shohim nivelin se sa keq do ta presë Berisha vendimin e Gjykatës së Posaçme për masën e arrestit ndaj tij më 26 dhjetor. A do ta përballojë si burrë këtë masë, apo do fillojë sërish të reagojë, duke deklaruar se nuk njeh asnjë vendim të kësaj drejtësie dhe të tentojë të ngujohet nga frika në selinë e PD buzë Lanës. Kjo mbetet për t’u parë.
Dhuna dhe frika e kane mbajt ne krye te PD dhe Shqiperise Saliun