“Askush nuk më do, dua të largohem nga kjo botë me dhimbjen më të madhe të mundshme”, kjo ishte një ndër disa deklaratat përmes të cilave autorit i vrasjeve në seri paralajmëroi ngjarjen tragjike në Pragë.
“Zbërthimi” i shkrimeve të tij në Telegram, që i referohej si një ditar virtual, ka nxjerrë në pah natyrën e autorit, i cili kishte planifikuar ngjarjen. Ai shkruante se bënte një jetë të mjerë.
“Kam një jetë të mjerë. Dëshiroj të largohem nga kjo botë me dhimbjen më të madhe të mundshme”, shkruante ai.
Kanali Telegram në fjalë u aktivizua vetëm pak orë para masakrës. Kozak në shkrimet e tij i ‘shkruante’ Alinës, emër që besohet se është një referencë për një 14-vjeçare e cila më 7 dhjetor vrau dy persona në shkollën e saj në Bryansk të Rusisë, përpara se të vriste veten.
Në një tjetër mesazh, 24-vjeçari mësohet të ketë shkruar: “Ndonjëherë shkruaj të tilla marrëzi në momente pasioni”.
Vetëm pak orë pas këtyre shkrimeve, 24-vjeçari rrëmbeu armën dhe vrau 15 persona në ambientet e Universitetit të Arteve.
Të mbijetuarit rrëfyen tmerrin dhe deklaruan se autori kontrolloi në cdo klasë e dhomë për të gjetur sa më shumë njerëz e t’i ekzekutonte.
/a.r