Këshilli i Europës, Komisioni Europian dhe Parlamenti Europian kanë arritur një marrëveshje politike për të reformuar Paktin e Azilit dhe Emigracionit.
Marrëveshja u arrit pas një serie bisedimesh që kanë nisur që nga e hëna.
Çfarë siguron marrëveshja?
Në parim, marrëveshja përbëhet nga pesë shtylla për të gjitha fazat e menaxhimit të azilit dhe emigracionit duke nisur nga kontrolli i emigrantëve të paligjshëm, te mbërritja e tyre në vendet e Unionit, mbledhjen e të dhënave biometrike, procedurat e kërkesave për azil dhe bashkëpunimin mes shteteve anëtare.
Në kuadër të kësaj marrëveshjeje, do të bëhet një proces “screening”, i cili do të gjenerojë një profil për azilkërkuesit duke mbledhur informacione të tilla si kombësia, gjurmët e gishtërinjve e të tjera. Këto të dhëna më pas përditësohen në Eurodac, që është baza e të dhënave e BE-së, me gjurmë gishtërinjsh të digjitalizuara dhe fotografi për secilin emigrant.
Në të njëjtën kohë, parashikohen dy procedura për kërkim zili, një e shpejtë që bëhet brenda 12 javëve dhe ajo standarde që kërkon më shumë kohë.
Nën rregulloren e menaxhimit të krizave, KE do të jetë përgjegjës për të vendosur se cila situatë mund të kategorizohet si krizë në vende të ndryshme.
Në rast se, për shkak të flukseve të mëdha, në një vend do të shpallet kriza, atëherë shtetet e tjera anëtare do të duhet të pranojnë në territorin e tyre azilkërkuesit që mbërrijnë në shtetet e vijës së parë si Greqia, Italia, Spanja, ose të paguajnë, në kuadrin e solidaritetit të detyrueshëm , para për shtetet e vijës së parë.
Beteja për të reformuar rregullat e imigracionit dhe azilit e ka ndarë BE-në në dy kampe, me vendet e vijës së parë si Italia, Greqia, Malta, Qiproja dhe Spanja që bëjnë thirrje për më shumë ndihmë nga ana e Unionit, ndërsa vendet veriore si Gjermania, Danimarka dhe Holanda këmbëngulin që emigrantët duhet të qëndrojnë në vendin e parë të BE-së që arrijnë.
Pas marrëveshjes së sotme politike, në javët në vijim pritet të vijojë puna në nivel teknik për zbardhjen e detajeve të rregulloreve të reja.
Marrëveshja e përkohshme do t’u dorëzohet më pas përfaqësuesve të Shteteve Anëtare për konfirmim.
/a.r