Gjatë kontrolleve të një nate më parë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit të sigurisë së lartë, janë gjetur sende të paligjshme.
Burime pranë Burgut në Burrel, i cili është një nga ata të sigurisë së lartë thanë se gjatë këtyre kontrolleve është gjetur një celular i futur në një frigorifer që do të futej brenda tek të burgosurit.
Gazetari Enver Doçi bën me dije për BalkanWeb se po të njëjtat burime bënë të ditur se frigoriferi ku ishte fshehur telefoni vinte nga burgu i Peqinit ku do të transferoheshin disa të burgosur. Fillimisht ka ardhur ngarkesa me materialet, më pas do të vinin të burgosurit.
Ndërkohë, ende nuk dihet se kujt i përkiste frigoriferi në të cilin është gjetur një aparat celular i vendosur në një vend të fshehtë të tij.
Megjithatë, kanë nisur hetimet për të dokumentuar ngjarjen dhe ndëshkimin e personave që kanë tentuar të fusin sende të paligjshme në qelitë e të burgosurve./m.j