Kryeministri Edi Rama ka vlerësuar ndryshimin e Kosovës sa i përket hapave të hedhur përpara drejt dialogut, e ndërsa nga ana tjetër ka pasur edhe një ftesë për Serbinë.
Duke bërë një analizë të asaj se çfarë ka ndodhur deri më tani, kreu i qeverisë shqiptare tha se është i lumtur që Prishtina zyrtare ka ndryshuar qasjen e saj, duke lënë pas qëndrimin kokëfortë dhe ka pranuar krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Për këtë arsye, i bën thirrje Serbisë që ta shfrytëzojë këtë për të mirën e saj, por edhe të të gjithë qetësisë së Ballkanit Perëndimor.
Këtë qëndrim që e zbuloi sot në një konferencë për mediat, Rama tha se ua bëri të qartë liderëve europian gjatë takimit që pati në Bruksel.
“Kam theksuar se me të njëjtën qartësi dhe me të njëjtën gjuhë që unë në të njëjtin vend apo në të tjera rrethana dhe takime kam shprehur bindjen se Serbia nuk duhej sanksionuar për moslinjëzimin me BE në saknsionet ndaj Rusisë se Serbia nuk ka asnjë të ardhme tjetër përveçse në çatinë e Europës së Bashkuar, se çfarë ndodhi në Banjskë dhe shpallja e zisë kombëtare që pasoi për vrasësit e efektivit të policisë së Kosovës, jo vetëm që ishte një ngjarje asnjë lidhje me vlerat europiane, por ka lëkundur besimin dhe ka vënë në pikëpyetje linjën e gjatë të kredisë politike që unioni së bashku me vendet e tjera të rajonit përjashtuar Kosovën në këtë rast i kanë dhënë Serbisë për ta nxitur që të përfshihet përfundimisht në anën e duhur të historisë së këtij rajoni dhe për të mbajtur sa më larg zjarrin e përhapjes së konfliktit që ka shpërthyer në Ukrainë. Është koha për Serbinë që të përballet me vetveten dhe të vendosë të gjithë gurët te e ardhmja europiane dhe rajonit dhe t’i përgjigjet në mënyrë konstruktive ndryshimit konstruktiv të Kosovës në dialogun e ndërmjetësuar nga BE-ja dhe i jam drejtuar edhe Kosovës me të njëjtën gjuhë që Kosova nuk ka asnjë arsye, por mbi të gjitha ka vetëm humbje nëse humbet interesin e miqve dhe aleatëve të mëdhenj në atë tryezë duke u sjellë siç është sjellë më parë, çka është një humbje jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë rajonin që e ka të nevojshme që të dalë përfundimisht nga zona e dhimbshme dhe degraduese e historisë. Koha që Kosova të vazhdojë më tutje dhe të ndërtojë qasjen mbi themelin e ri që ka vënë me hapin shumë pozitiv që hodhi duke pranuar pas një humbje kohe të gjatë krijimin e Asosacionit dhe duke bërë kështu që t’i hapë rrugë restaurimit të besuar të miqve dhe aleatëve”, tha Rama.
/a.r