Ndër çështjet më të përfolura prej dekadash, që së fundmi ka sjellë dhe angazhimin intensiv të liderëve botërorë është ngrohja globale, e cila mund të rrezikojë seriozisht stabilitetin e Tokës.
Së fundmi, kryeshtetarët nga e gjithë bota ishin të pranishëm në Samitin Botëror të Veprimit për Klimën COP 28, të mbajtur në Dubai, ku u diskutua për parandalimin e katastrofave natyrore që mund të vijnë nga ky fenomen.
Analizat e shumta dhe parashikimet janë konkretizuar me anë të një videjo, e cila pasqyron se si disa qytete të botës do të dukeshin nëse temperatura e tokës do të rritej me 3 gradë celsius.
Në video duket se me rritjen e temperaturës së tokës shumë qytete të botës do të përmbyten, ku niveli i ujit do të arrijë një nivel relativisht të lartë.
Shkencëtarët thonë se rritja e vazhdueshme e nivelit global të deteve do të vazhdojë për shumë dekada me rritjen e temperaturave.
Analiza nga Climate Central, një grup jofitimprurës kërkimor për klimën, ilustron rrezikun me të cilin përballet planeti ynë nga ngrohja globale.
Një raport i fundit i Kombeve të Bashkuara tregoi se planeti ynë aktualisht është në “rrugën e duhur” për t’u ngrohur deri në 2.9 gradë./m.j