Rezultatet e hulumtimit të ri kanë treguar që gjithnjë e më shumë njerëz besojnë në tregimet e trilluara të romancave televizive dhe që më pak u dedikohen lidhjeve reale.
Gjatë hulumtimit, 392 persona të martuar kanë plotësuar anketën se sa janë të kënaqur në martesën e tyre, pritjet dhe dedikimin, si dhe për besimin në paraqitjen televizive të lidhjeve romantike.
Personat që kanë besuar më shumë në paraqitjen televizive të romancave kanë investuar më pak në lidhje dhe kanë qenë më pak të dedikuar ndaj partnerëve të tyre. Shumë nga ata madje kanë theksuar edhe që mendojnë për divorcin.
Ata që kanë besuar më së shumti në romancat e tilla po ashtu kanë theksuar edhe “çmimin” më të lartë të lidhjes së tyre , siç është humbja e kohës së lirë dhe kanë përmendur më shumë të meta të partnerëve të tyre, shkruan LiveScience.
“Njerëzit që besojnë në historitë televizive, lidhjet e tyre të vërteta i shikojnë si shumë të shtrenjta dhe konsiderojnë që në to kanë humbur shumë. Jetojmë në shoqërinë e cila është e mbushur me pamjet nga televizioni dhe interneti, por shumica e njerëzve nuk e kuptojnë se në çfarë mënyre ndikon e gjithë kjo në ta.
Numri i martesave të dështuara rritet nga dita në ditë dhe është shumë e rëndësishme që njerëzit të kuptojnë se cilat arsye çojnë deri te ndërprerja e kaq shumë lidhjeve”, shkruan Jeremy Osborn, udhëheqës i hulumtimit nga Kolegji Albion në Michigan.