Gjykata Kushtetuese liron njërin prej të dënuarve për tragjedinë e 15 marsit 2008 në Gërdec, të cilit i është cenuar e drejta për akses në Gjykatën e Lartë.
Bëhet fjalë për Hysni Çoçkën, i cili pasi përfundoi dënimin e dhënë nga drejtësia për ngjarjen tragjike të tetë viteve më parë, iu drejtua Gjykatës Kushtetuese, duke kërkuar shfuqizimin si të papajtueshëm me Kushtetutën të tri vendimeve gjyqësore ndaj tij, atë të shkallës së parë, vendimin e Gjykatës së Apelit të Tiranës dhe vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, për mospranimin e rekursit.
Gjykata Kushtetuese, pasi ka shqyrtuar kërkesën e Çoçkës, i cili është gjetur fajtor për akuzën e “Shpërdorimit të detyrës”, kryer nga kuadri komandues, ka konstatuar se, ndërsa ndodhej në burg, i është mohuar e drejta për të pasur akses në Gjykatën e Lartë. Ja si e arsyeton Kushtetuesja.
Pretendimet e kërkuesit Kërkuesi Hysni Çoçka është hetuar dhe gjykuar në gjendje të lirë për akuzën e kryerjes së veprës penale ushtarake “Shpërdorimi i detyrës”, kryer nga kuadri komandues, në bashkëpunim.
Në përfundim të gjykimit të çështjes, në ngarkim të tij dhe 29 të gjykuarve të tjerë, Gjykata e Tiranës e ka dënuar Hysni Çoçkën me 3 vite burg dhe ndalimin e së drejtës për të ushtruar një detyrë shtetërore, për një periudhë prej 1 viti.
Dënimi është lënë në fuqi nga Gjykata e Apelit, ndërsa Gjykata e Lartë ka vendosur ta mbyllë çështjen “Gërdeci” që në dhomën e këshillimit. Çoçka i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se i është cenuar e drejta për një proces të rregullt ligjor, thotë “Gazeta Shqiptare”