Në datat 22 dhe 23 Nëntor do zhvillohen aktivitete të rëndësishme në Tiranë, konkretisht te Pallati i Kongreseve.
Vetë kryeministri Edi Rama lajmëron përmes një postimi në Facebook-un e tij se Dita Arbëreshe dhe Samiti i 3-të i Diasporës do të bëjnë bashkë të gjithë diasporën.
“Mirëmëngjes dhe me faktin që zemrat kuqezi të diasporës rimblidhen këtë herë me arbëreshët në qendër, për t’u mikëpritur nga yjet si Ardit Gjebrea, Ndriçim Xhepa, Elsa Lila, Elhaida Dani bashkë me artistët e “Teatrit Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor”, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Për Ditën Arbëreshe do të mblidhen në kryeqytet përfaqësues dhe figura të njohura të komunitetit arbëresh, studiues e historianë. Është planifikuar që diskutimet të nisin në mëngjes e më pas sesioni plenar në orën 16:00. Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani do të mbajë fjalën e hapjes për t’u pasuar me mesazhet e Presidentit të Republikës, Bajram Begaj dhe Kryeministrit Edi Rama.
Ndërsa për Samitin e Diasporës do të jenë të pranishëm përfaqësues të lartë të Shqipërisë, Kosovës, Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi dhe mbi 2 mijë bashkatdhetarë nga diaspora.
/a.r