Avokati i Popullit, Igli Totozani në lidhje me krizën e refugjatëve u shpreh se “aktualisht kemi një përshkallëzim të situatës prej bllokimit të kufijve në vende kryesore të destinacionit në BE dhe efektit domino përgjatë “Itinerarit Ballkanik”.
“Shqetësim tepër i madh është profilizimi i refugjatëve bazuar tek nacionalitetit dhe mosgarantimi i së drejtës së aksesit ndaj procedurave të azilit pa diskriminim. Dështimi në zbatimin e legjislacionit ndërkombëtar ka prekur gjerësisht grupet vulnerabël, duke përfshirë këtu fëmijët, gratë, të moshuarit, viktima të torturës, personat me aftësi të kufizuar, LGBTI etj. Vetëm gjatë vitit 2015 janë evidentuar mbi 90.000 të mitur të pashoqëruar, të cilët janë ekspozuar ndaj risqeve të shtuara për shëndetin, dhunimin, shfrytëzimin dhe trafikimin. Prandaj është lajm aq i mirëpritur ai për krijimin e “Pikave Blu”, si qendra të suportit për fëmijët dhe familjet refugjatë, një iniciativë e përbashkët mes UNHCR dhe UNICEF”, u shpreh Totozani.
Këto deklarata, Avokati i Popullit i bëri pasi u rizgjodh për një mandat tjetër 3-vjeçar si President i Organizatës së Ombudsmanëve të Mesdheut, me vota unanime, gjatë punimeve të Konferencës së 9-të të (AOM), të mbajtur në Valeta të Maltës.