Vetëvendosje thotë ta ketë përmbysur edhe një kamion me prodhime të Serbisë në Rrugën e Kombit. Për këtë ajo ka bërë të ditur përmes një postimi në Facebook, transmeton Koha.net.
Në postimin e VV-së thuhet:
Hegjemonia e Serbisë në Kosovë është e papranueshme, qoftë ajo politike, ushtarake, apo ekonomike. E vetmja e ardhme për të cilën do të punojmë e do të angazhohemi, është ajo e paqes me drejtësi e barazi mes vendeve.
Është e papranueshme për ne që Serbia vazhdon të mos e njohë Kosovën, si dhe të fshehë apo të mohojë krimet gjenocidale që ka bërë këtu, në vend që të kërkojë falje e të dëmshpërblejë viktimat. Kjo Serbi që punon aktivisht kundër Kosovës, nuk mund t’i ketë dyert e hapura për prodhimet e saj.
Për të patur reciprocitet tregtar është i domosdoshëm në radhë të parë reciprociteti politik. Për këtë arsye aktivistët e Lëvizjes Vetëvendosje, në Rrugën e Kombit, e kanë përmbysur një kamion me prodhime të Serbisë. Aksione të tilla do të vazhdojnë deri sa qeveria e Serbisë të ndryshojë qëndrim ndaj Kosovës, dhe të mos na i mohojnë të drejtat tona kombëtare!