Konferenca lançuese e Rrjetit Shqiptar për Zhvillimin Rural (ANRD), “Përfshirja e Aktorëve Jopublik në Axhendën Kombëtare Rurale”, mblodhi sot më 11 mars 2016, në ambjentet e Hotel Tirana International, përfaqësues të lartë të institucioneve publike qendrore dhe vendore, të shoqërisë civile anembanë vendit, sektorit privat si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe misioneve të huaja në vendin tonë. Qëllimi i mbledhjes së një spektri kaq të gjerë përfaqësuesish e aktorësh ishte mundësimi i sinergjive kombëtare ndërmjet të gjithë aktorëve publik dhe privat që kanë rol në zhvillimin rural për të artikuluar në mënyrë të qartë angazhimin e tyre në avancimin e axhendës së vendit në zhvillimin rural. Rrjeti Shqiptar për Zhvillimin Rural përfaqëson Rrjetin e fundit kombëtar të krijuar në Ballkan, në valën e zgjerimit të lëvizjeve rurale mbarë-europiane në përpjekje për të siguruar cilësi jetese të përmirësuar të komuniteteve në zonat rurale.
Fjalën e mirëseardhjes e çeli Sotiraq Hroni, në cilësinë e Kryetarit të Bordit të Rrjetit, i cili ndër të tjera ndau me pjesëmarrësit se krijimi i rrjetit përveç se kurorëzon një seri përpjekjesh të mëparshme, përbën një arritje të rëndësishme të shoqërisë civile shqiptare për të siguruar politikëbërje efektive në zhvillimin rural Hroni, ndau me pjesëmarrësit vizion e Rrjetit dhe premtimet që ky mekanizëm mban në lidhje me përgatitjen e shoqërisë rurale shqiptare në procesin e integrimit drejt praktikave europiane dhe modeleve të zhvillimit rural. Sipas Hronit, në sajë të Rrjetit, në vjeshtë Shqipëria do të presë aktivitetin e rradhës së Rrjetit europian-PREPARE, aktivitet masiv që sjellë së bashku përfaqësues të rrjeteve rurale kombëtare të vendeve anëtare në BE dhe atyre të vendeve ballkanike, si dhe shumë aktorë lokal për qenë më afër problematikës së zhvillimit rural, shkëmbyer eksperienca e përvoja dhe për t’u angazhuar në aktivitete advokuese për të fuqizuar zërin e komuniteteve vendore. Vitin tjetër, ANRD planifikon të organizojë Parlamentin e parë Rural Shqiptar, në vazhdën e përvojës shumë vjeçare që rrjetet europiane kanë krijuar si një mënyrë për të ndikuar politikëbërjen e zhvillimit rural.
Konferencën e përshendeti zv. Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Aministrimit të Ujërave, Roni Telegrafi, i cili ndër të tjera ndër të tjera tha se krijimi i Rrjetit është pranuar si arritje në axhendën kombëtare rurale, që do të mbështesë aktorët vendore për realizimin e Strategjisë Ndërsektoriale për Zhvillimin Rural dhe Bujqësor, në mënyrë të veçantë zbatimin e strategjive lokale për Grupet Lokale të Veprimit – LAG dhe Leader+. Ndër të tjera Telegrafi u shpreh se rrjeti do të jetë dallëndyshja e parë e rritjes së kapaciteteve të përfituesve në nivel lokal nga fondet për zhvillimin rural.
Konferencën e përshëndetën edhe përfaqëues të EUD, Programi i bujqësisë dhe zhvillimit rural si dhe drejtori i Friedrich Ebert Stiftung (FES), Frank Hantke, një nga mbështetësit e parë të ANDR-së si dhe të këtij eventi.
Në vazhdim të Konferencës, folësit sollën çështjen e zhvillimit rural nga perspektiva të ndryshme duke theksuar qasjen ndërsektoriale që zhvillimi rural kërkon. Njohja me axhendën kombëtare të zhvillimit rural, implikimet e zbatimit të saj, rolin e shoqërisë civile, përpjekjet e Qeverisë në avancimin e kësaj axhende, roli i bashkive dhe kapacitet e tyre për zhvillimin rural, incentivat që ofron sektori privat dhe roli i ANRD-së si aktor ndryshimi në zhvillimin rural përbënin çështjet kryesore të prezantimeve dhe diskutimeve.
Në përfundim të Konferencës, u theksua nevoja e fuqizimit të komuniteve vendore dhe forcimit të shoqërisë civile në zonat rurale për të advokuar dhe lobuar çështjet e zhvillimit të komuniteteve rurale si një mënyrë për të nxitur qeverisje më të mirë dhe për të përfituar nga avantazhet që proceset integruese ofrojnë për zhvillimin rural. Në këtë aspekt, ANRD është në pozicionin më të mirë për të promovuar zhvillimin rural të udhëhequr nga komuniteti nëpërmjet advokacisë dhe nismave në hartimin dhe zbatimin e politikave të zhvillimit të qëndrueshëm rural me qëllim përmirësimin e cilësisë së jetës të komuniteteve rurale në Shqipëri.
Për më shumë informacion rreth ANRD-së dhe Konferencës, ju lutem mos hezitoni të na shkruani në in**@an**.al. Gjithashtu, gjeni bashkelidhur fletepalosjen me informacion rreth veprimtarise se ketij rrjeti.