Nga Kristo Mërtiri
-Miku im, nuk e kam llafin vetëm për skenat tragjikomike të ditës së hënë në tempullin e Demokracisë e˙ të Pluralizmit, gjatë seancës parlamentare që u kthye në shesh tollovie e rrugacërie. Ti, na ke thënë se e njeh Doktorin që 40 vite më parë. Atje në metropol, bëj zahmet, përpiqu e mos përto ta takosh sa për t’i thënë këtë lutjen time. Po nuk mundesh , shko në ndonjë Konferencë Shtypi, e ma hiq këtë maraz e merak të vjetër. Sepse ca kacagjelëve deputetë mburravecë, të ngrefosur, bosh e të kapardisur, ua ka hequr kapistrën e frerët. I ka lëshuar si azatë të handakosur nëpër mjediset e Parlamentit. Por mua më shëmbëllejnë ndryshe. Në nahijen tonë, shërbëtorët e bindur e kokëtulë, të verbër e të përkulur tmerrësisht përballë “prijësit”, i thërrsin zagarë. Mjafton t’u lëshosh ndonjë kockë dhe ata heshtin ose ndërsehen me lehje e pa lehje, me hënë e pa hënë, me vend e pa vend. Dhe halli ynë nuk është sepse lënë pa gjumë mëhallën. Kjo do ishte mbase gjysma e të keqes. Ja lutja ime deri në përgjërim: -Aman, Doktor, mos ia shto votat Edi Ramës ! Se njerëzia po vë duart në kokë. Edhe emri i partisë së parë opozitare po fëlliqet cdo javë e më tepër. Hallet e tij personale e familjare nuk ia lehtësojnë hic. Përkundrazi. Ia rëndojnë edhe më shumë ata rondokopë të tredhur a të patredhur. Vetëm beteja në Gjykatë do e nxjerrë në selamet. Atje është sheshmejdani për Drejtësi, dinjitet e ndershmëri…
“Aksioni opozitar” që trumbetohet me gojë, me shkrim e me megafonë, nëse shpërthen sadopak për zbardhjen e atyre gjëmave, jemi të gatshëm unë dhe miqtë e mi të dalim në ballë e pa asnjë pishmanllëk !
-“Ka shumë skenarë. Nuk mund t’i them, se kjo është betejë nga një grup deputetësh për herë të parë në histori”.
Kaq tha Doktori në pasmesditën e së martës. Po kaq budalla e kujtojnë njerëzinë ?!
Halle-halle kjo dynja. Ndoshta nuk ngjajnë me njëri-tjetrin. Mbi 3 dekada më parë, në ballinën e gazetës “Bashkimi” është botuar një shkrim me firmën time, pas deklaratës së Doktorit President se nuk do të lëvizte nga apartamenti jo dosido i kohës së Enverit në Brrakë. Sinqerisht, atëhere e vlerësova pozitivisht, pa asnjë paragjykim cinik a cyryk.(Madje kujtoj edhe një thënie të tij pak më vonë në Parlament:” -Kush ngre një pallat bëhet i pasur” ! Po me 19 kulla në mes të Tiranës, c’farë bëhesh vallë ?!…). Mirëpo, rrodhën shumë ujëra. Po sot ? Pasuritë tepër marramendëse që kanë dhënë e po japin mediat dhe institucionet serioze për fëmijët, dhëndrrin, bashkëpunëtorët besnikë e jo besnikë, mbështetësit militantë e të panginjur etj., na e bëjnë mendjen ujem. Ka vërshuar zhgënjimi i pafund. Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm pyesin drejtpërdrejt : Ky tabor me milionerë e miliarderë(acik të dyshimtë e abuzues) a do të kapnin këto maja majmërie e kusarie, po të mos ishte Berisha president e kryeministër ?! Më thoni, kush mund t’ua mbushë mendjen ndryshe. Apo grupi i deputetëve me cakenj të vjetër e të rinj, që do bëjnë hatara “për herë të parë në histori” ! Kur shikojmë ende edhe ndonjë “zagar plak” të fshehur pas favoreve e privilegjeve të pamerituara, dhe që sulen të cartur nëpër mjediset e Parlamentit, kujtojmë një fabul ezopiane. Dhe vëmë buzën në gas :
-“Një zagar plak i kishte shërbyer me devotshmëri të zotit për një kohë të gjatë, por, me kalimin e viteve, fuqitë e kishin lënë pak nga pak dhe ankesat për shëndetin sa vinin e shtoheshin. Një ditë, kur ndodhej për gjah me të zotin, u doli përpara një derr i egër. Zagari u sul me vrull dhe e kapi nga veshi, mirëpo iu shkulën dhëmbët dhe derri ia mbathi. I zoti vrapoi drejt zagarit e nisi ta shante e ta gjuante paq me shkop, por e mbajti dorën kur zagari i shkretë e pa në sy dhe i tha :- Kurseja jetën shërbëtorit tënd të vjetër, zotëri i dashur ! Ti e di mjaft mirë që nuk më mungoi as kurajoja as dëshira, por më lanë në mes të udhës forca dhe dhëmbët, të cilat i kam humbur duke të shërbyer ty”…
Ndërkohë miku im i djathtë qeshte me gjithë shpirt. Por edhe mërmërinte me gjongul lutjen pa kurrfarë qesëndie : -Aman, Doktor, mos ia shto votat Edi Ramës !…Të vërtetat tronditëse nuk kanë nevojë për kallauz. E as për zhurmë politike e mediatike. Kanë nevojë për veprim e vendim juridik, larg sokëllimave e përtej “shkërdhatokracisë” së Tranzicionit shqiptar.