Kompania e Telekomunikacionit në Palestinë, “Paltel” deklaroi se janë ndërprerë të gjitha shërbimet e komunikimit dhe të internetit me Rripin e Gazës nën agresionin e vazhdueshëm izraelit. Grupi i monitorimit të internetit “Netblocks” konfirmoi rreth orës 17:30 se të dhënat e rrjetit treguan një kolaps në lidhjen në Rripin e Gazës.
Gjithashtu, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës thotë se ka humbur plotësisht kontaktet me qendrën e saj të operacioneve në Rripin e Gazës.
“Jemi thellësisht të shqetësuar për aftësinë e ekipeve tona për të vazhduar ofrimin e shërbimeve të tyre mjekësore emergjente, veçanërisht pasi kjo ndërprerje prek numrin qendror të urgjencës ‘101’ dhe pengon mbërritjen e automjeteve të ambulancës për të plagosurit dhe të lënduarit”, thotë organizata në një deklaratë.
Gjithashtu, Shoqata e Gjysmëhënës së Kuqe të Palestinës është e shqetësuar për sigurinë e ekipeve të saj që punojnë në Rripin e Gazës dhe i bën një thirrje botës që të ushtrojë presion mbi autoritetet izraelite për të ofruar mbrojtje të menjëhershme për civilët e pafajshëm, objektet mjekësore dhe ekipet e tyre.
Po ashtu, organizata ndërkombëtare bamirëse “ActionAid” thotë se ka humbur kontaktet me kolegët e saj në Gaza. Organizata bamirëse shprehet “shumë e shqetësuar për sigurinë e tyre dhe të të gjithë njerëzve të Gazës”.
Humbja e kontaktit me personat që ndodhen në Gaza ka ardhur pasi ushtria izraelite ka intensifikuar sulmet në Rripin e Gazës. Zëdhënësi i ushtrisë izraelite, Daniel Hagari tha se forcat tokësore të Izraelit po i zgjerojnë operacionet e tyre në Gaza mbrëmjen e sotme. Sipas ushtrisë izraelite, forcat ajrore po sulmojnë gjerësisht objektivat nëntokësore.
/a.d