Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “arrest në shtëpi” për 16-vjeçarin që goditi me karrige mësuesen e tij, ngjarje e ndodhur në gjimnazin “Hydajet Lezhë” në Lezhë.
Ndaj tij rëndojnë dy akuza, “goditje për shkak të detyrës” dhe “plagosje e rëndë me dashje”.
Kujtojmë se ngjarja ndodhi në orën 10:30 minuta, të së mërkurës (25 tetor) në ambientet e gjimnazit.
Mësohet se mësuesja e matematikës, Majlinda Palushi, pësoi lëndime serioze në krahun e saj nga goditja me karrige. Ajo u dërgua menjëherë në urgjencën e Spitalit Rajonal të Lezhës, ku ndodhet nën kujdesin e mjekëve.
Nga të dhënat paraprake të policisë bëhet me dije se nxënësi dhe mësuesja kishin bërë një debat fillimisht pasi mësuesja i kishte thënë që do ta ngelte në klasë.
Raportohet se mësuesja është betuar duke përmendur të atin e saj që nuk jeton më, ashtu si edhe babai i adoleshentit, gjë që besohet se ka nxitur dhe reagimin e dhunshëm.
“Betohem për kockat e babait tim që më ka vdekur dhe babait tënd që është aty tek i imi që do të të ngel”, është shprehur ajo. Pasi i ka përmendur babain që nuk jeton më, 16-vjeçari është rebeluar dhe ka marrë karrigen dhe goditur mësuesen para nxënësve të tjerë./m.j