Analisti Skënder Minxhozi tha se dosja për privatizimin e kompleksit Partizani është një dosje e rëndë për Berishën. Gjatë diskutimit në emisionin Real Story, Minxhozi u shpreh se ky është një prej shembujve të shumtë se si Sali Berisha e ka përdorur shtetin për interesa personale.
“Kjo është një dosje shumë e rëndë e Berishës, por është një nga shembujt se si Berisha e ka përdorur shtetin krejtësisht sa herë që i është dashur për interesat e veta. Të kujtojmë se çfarë ka ndodhur në 21 janar dhe se si ai ka ndërtuar një kështjellë mbi rërë, teorinë e famshme të pucit për të mbuluar diellin në shoshë dhe për të mbuluar vrasjet, ka ngritur komision hetimor. Ngriti një fabul të madhe”, tha ai.
Ai theksoi se këto dosje duan vullnet për t’i gjykuar: “Këtu ndodhemi përballë shumë dosjeve, e cila është një prej shumë dosjeve të pagjykuara dhe nëse ti ke vullnetin ta gjykosh një dosje akuza ka shumë gjasa të kthehet në një fajësi, sepse faji ekziston thjesht pse nuk është gjykuar”, tha Minxhozi.
Minxhozi shtoi se SPAK dhe GJKKO kanë krijuar një “lapsus juridik” në raport me Berishën, për caktimin e masës së sigurisë. Sipas tij, kjo gjë mund të ishte evituar duke i drejtuar një kërkesë Kuvendit.
“Unë mendoj se SPAK dhe GJKKO kanë rënë në një lapsus që do duhet ta kishin evituar. Tani këtu Këto qëndron përballë një kuadër i tërë, që është opozita e sotme, e cila është vënë në shërbim të një interesi krejt personal. Këtu luftohet për metra katror. Është krijuar një lapsus krejt i panevojshëm juridik”, tha ai.
Por ndryshe nga Minxhozi, gazetari Mero Baze thotë se nuk ka asnjë lapsus dhe se SPAK dhe GJKKO kanë marrë vendim të drejtë, që kanë aplikuar masë të kufizimit të lirisë për Sali Berishën, i cili dyshohet për korrupsion në privatizimin e ish-kompleksit Partizani.
“Nuk ka lapsus, as nga SPAK as nga GJKKO. Ata e njohin ligjin. Kemi një vendim të gjykatës speciale, që Sali Berisha ka këtë masë sigurie. Vendimi i gjykatës kundërshtohet në një gjykatë, nuk kundërshtohet duke u fshehur në wc kur të vijnë policët në zyrë. Nëse është lapsus e gjykon një gjykatë tjetër. Të fshihesh në wc kur të vjen Policia dhe të thuash s’e njoh vendimin e gjykatës. Vendimi kundërshtohet në gjykatë, nuk kundërshtohet me Flamur Nokën”, tha Baze./m.j