7 vjet më parë u nënshkrua famëkeqi Pakt Detar mes qeverisë së Athinës dhe asaj të Tiranës, ku ujëra territoriale të Shqipërisë iu dorëzuan Greqisë.
Më vonë u kuptua se bëhej fjalë për një zonë me rezerva të mëdha nafte.
Ndoshta tani është harruar, por lidhur me Paktin Detar Prokuroria ka nisur hetimet për veprën penale “Marrëveshja për dorëzim territori” të parashikuar nga neni 210 i Kodit Penal.
Ky hetim ka nisur pas kallëzimit të bërë nga Ministria e Jashtme më 28 maj 2014. Por prej asaj kohe deri më sot nuk ka asnjë njoftim mbi ecurinë e këtyre hetimeve dhe të pandehurit.
Dosja e paktit detar, e sekuestruar nga Prokuroria përmban dokumente të Ministrisë së Jashtme, Ministrisë së Mbrojtjes dhe disa institucioneve të tjera.
Marrëveshja Berisha-Karamanlis është firmosur nga Basha e Bakojanis në datën 29 prill 2009.
Ajo u shfuqizua nga Gjykata Kushtetuese me vendimin nr.15, datë 15 prill 2010.
Më poshtë DITA boton një kabllogram të Ambasadës Amerikane, zbuluar nga Wikileaks, nga të dhënat e të cilit kuptohet se në gjysmën e dytë të vitit 2008 qeveria shqiptare është vënë me shpatulla pas murit nga homologët grekë, të cilët kërkojnë fuqimisht paktin detar dhe varrezat e ushtarëve grekë.
Grekët u kanë thënë përfaqësuesve shqiptarë që të mbajnë jashtë “fuqitë e mëdha” dhe sidomos Uashingtonin.
Ambasada Amerikane është informuar për këtë stuatë nga raportimet e disa zyrtarëve shqiptarë të rangut të mesëm.
Më poshtë kabllogrami që Ambasada e Tiranës i dërgon Uashingtonit, botuar sot nga DITA:
Titulli: Greqia i bën presion Shqipërisë për kufirin dhe çështjen e varrezave
Datë 9 tetor 2008
Dërguar nga Ambasada Amerikane në Tiranë
Merr Departamenti Amerikan i Shtetit
Firmosur: Zv. ambasadori Stiven Kristina
Material konfidencial, deklasifikohet më 10/08/2018
“Qeveria greke po i bën presion qeverisë shqiptare që të pranojë kërkesat e saj për negociata dypalëshe për të bërë delimitimin e kufirit detar. Athina po kërcënon se do të refuzojë ratifikimin e MSA-së së Shqipërisë me BE-në për shkak të një çështje të debatueshme për ngritjen e varrezave greke në Shqipëri, të cilën qeveria shqiptare e sheh si një përsëritje që Greqia i bëri Maqedonisë që aspironte për në NATO. Bisedimet për varrezat vazhdojnë ende dhe raundi i fundit i negociatave u mbyll pa sukses.
Gjatë një takimi të ndodhur përpara pak kohësh, zyrtarët grekë i dhanë homologëve shqiptarë një ultimatum. Qeveria greke është gati të bëj kompromis për bregdetin pranë Korfuzit (aty raportohet se ka një interes ushtarak amerikan që të ndërtohet një bazë ushtarake në Jalë, jugu i Shqipërisë). Gjithsesi zyrtarët grekë paralajmëruan delegacionin shqiptar që të vazhdojë me kërkesat e tij dhe të mos përfshijë “fuqitë e huaja”, duke përmendur SHBA-në, në negociata. Një frazë e tillë identike është përdorur edhe në Tiranë gjatë një takimi të ambasadorit grek me ministrin e Jashtëm Basha.Sipas Ledia Hysit, Drejtoreshë e Çështjeve Ligjore dhe Marrëveshjeve në MPJ, qeveritë greke e shqiptare po negociojnë prej muajsh për të caktuar kufijtë detarë. Negociatat po hasin probleme të mëdha për shkak të atyre që ajo i përshkruan si “standarde të dyfishta të grekëve”, të cilët përdorin metoda të ndryshme për pjesë të ndryshme të bregut, ndërsa Shqipëria përdor një standard bazë për caktimin e kufijve. Ky standard bazohet në konventat ndërkombëtare. Me pak fjalë, Shqipëria akuzon Greqinë se po zgjedh pjesët më të mira duke përdorur metoda të ndryshme për caktimin e pikave kufitare.
Një tjetër çështje e diskutueshme mes Athinës dhe Tiranës është kërkesa greke për të ndërtuar katër varreza në jug dhe lindje të Shqipërisë për të përkujtuar ushtarët grekë që vdiqën në Shqipëri gjatë përplasjes me forcat italiane në 1920. Qeveria shqiptare ka kundërshtuar propozimet greke pasi ato synojnë ngritjen e va5rrezave ushtarake në tokën shqiptare bazuar në ndarje fetare dhe etnike. Ajo është kundërshtuar edhe për faktin se i jep krahë pretendimeve historike të Greqisë se zotëron tokë në jug të Shqipërisë. Edhe pse qeveria shqiptare ka kërkuar disa herë ngritjen e një komisioni të pavarur ekspertësh që të zgjidhin këtë problem, Athina ka mbajtur një qëndrimit të tipit: Merre ose lëre!.
Më 30 shtator, negociatorët shqiptarë dhe grekë u takuan sërish në Tiranë po dështuan në gjetjen e një marrëveshjeje për varrezat. Sipas kreut të delegacionit shqiptar, Islam Laukës, Shqipëria refuzoi një propozim të Greqisë për katër varreza duke i ofruar në vend të tyre një varrezë në Tiranë. (Shënimi i ambasadës: Eshtrat e britanikëve, gjermanëve dhe pjesës më të madhe të trupave të huaja të vrarë në Shqipëri janë mbledhur dhe varrosur në Tiranë. Eshtrat e ushtarëve italianë janë mbledhur dhe dërguar në Itali. Asnjë trup i huaj nuk është varrosur në “fushën e betejës” në Shqipëri, ashtu siç kërkon qeveria greke. Fundi i shënimit të Ambasadës).
Sipas Laukës, pasi refuzimit të parë, Shqipëria ra dakord për një varrezë greke në jug të vendit, një ofertë të cilën Lauka e vlerësoi si lëshim të madh pasi të gjitha varrezat e tjera të trupave të huaja ndodhen në Tiranë.
Grekët bënë një kundër-ofertë për dy varreza në jug dhe opsionin për një të tretë më pas. Qeveria shqiptare e refuzoi këtë propozim dhe bisedimet u mbyllën pa rezultat…
Gjatë një raundi të mëparshëm negociatash për varrezat, pasi dha mesazhin që të mbante Uashingtonin jashtë, grekët i dhanë shqiptarëve një ultimatum të dytë, edhe më të fortë se i pari. Teksa Marrëveshja e Stabilizim Asociimit të Shqipërisë është firmosur nga 22 vende të BE-së, Greqia ndodhet mes tre vendeve të fundit që deri tani nuk e kanë bërë këtë gjë.
Në çështjen e kufirit detar, pavarësisht faktit që negociatorët grekë kanë bërë kërkesa në kundërshtim me konventat ndërkombëtare, Athina ka thënë se ndarja do të bëhet sipas kushteve të saj, ose nuk do të bëhet fare. Hysi tha se pozicioni grek ishte një kërcënim serioz për planet e zhvillimit afatgjatë të bregdetit të jugut të Shqipërisë dhe do të ishin një pengesë për turizmin, transportin, peshkimin, naftën nën det dhe gazin. Madje ato mund të sjellin edhe incidente territoriale me Greqinë. Duke pasur në kujtesë rastin e freskët kur Athina vendosi veton për hyrjen e Maqedonisë në NATO, qeveria shqiptare mendon se pozicioni i Greqisë në çështjen e paktit detar dhe varrezave është një kërcënim serioz për sovranitetin dhe interesat e Shqipërisë.Ambasadori grek i tha Bashës së nëse qeveria shqiptare nuk bie dakord me termat e Athinës në lidhje me varrezat ushtarake, parlamenti grek nuk do ta ratifikojë asnjë herë MSA-në. Ai i tha se nëse bien dakord për varrezat, atëherë marrëveshja do ratifikohet.
Në këtë pikë, qeveria shqiptare nuk ka kërkuar për ndihmën e SHBA-së ose për ndërhyrje ndaj Greqisë duke preferuar që ta zgjidhë këtë çështje vetë”.