Në qytetin e Fierit u zhvillua sot një aktivitet sensibilizues në kuadër të “Tetorit Rozë”, muajit për sensibilizimin e grave për diagnostikimin e kancerit të gjirit.
Në këtë takim morën pjesë ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Albana Koçiu , ministri i Brendshëm, Taulant Balla, deputetë, drejtues vendorë, gra e vajza.
Në fjalën e saj ministrja Koçiu theksoi se “sëmundja e kancerit të gjirit prek jo vetëm gruan, por edhe gjithë komunitetin familjar sepse edhe familjarët janë ata që vuajnë së bashku me gruan. Prandaj është e rëndësishme të jemi së bashku”.
“Ne kemi bërë të mundur që të bëjmë një sistem dhe jemi duke u përpjekur ta ngremë gjithnjë më shumë një sistem alerti që u vjen në ndihmë çdo nënë çdo gruaje por t’i kujtuar që duhet të bëjë kontrollet periodike jo vetëm gjatë muajit tetor, muajit që ne e kemi dedikuar për sensibilizimin e kësaj sëmundjeje por përgjatë gjithë vitit. Është e rëndësishme që për çdo ditë të vitit të kontrollohemi, të ekzaminohemi, të shkojnë tek mjeku i familjes”, nënvizoi Koçiu.
Ministrja Koçiu tha se “Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale gjatë gjithë këtyre viteve ka ndjekur një program të suksesshëm, sidomos ndaj depistimit dhe luftës kundër kancerit të gjirit. Janë kabinetet e mamografive falas në spitalet rajonale, është mamografia lëvizëse e cila bën të mundur që të shkojë aty ku aksesi është i kufizuar”.
Mamografitë falas, shtoi ajo, janë një mbështetje pikërisht për këto gra e vajza të cilat kanë për të vështirësi për të aksesuar kabinetet e mamografisë në spitalet rajonale.
“Pa diskutim që gjatë këtyre viteve në listën e barnave 100% të rimbursueshme nga shteti, pra listën e barnave falas, janë futur edhe medikamente novative si herceptina që u vjen në ndihmë të gjitha grave të cilat vuajnë nga një sëmundje e tillë. Pa diskutim nuk është mjaftueshëm. Duhet të vijojmë akoma më shumë, të flasim akoma më shumë”, tha Koçiu.
Ministri i Brendshëm Taulant Balla apeloi për kontrolle të vazhdueshme që duhen kryer në kohë, për të fituar betejën me këtë sëmundje, që brenda vitit të kaluar mori 700 jetë. Ai foli për rritje të ndërgjegjësimit.
“Kam një apel për burrat, të bëjnë një gjest duke qenë ata iniciuesit, që ta marrim bashkëshorten, nënën, motrën ta çojnë për kontroll në spital të bëjnë mamografinë, duke treguar dashuri. Jam i bindur që sa më shumë i japim zë këtij muaji, dedikuar dashurisë më shumë do ta fitojmë betejën”, tha ministri i Brendshëm.
Ministri Balla theksoi domosdoshmërinë e krijimit të një shembulli të mirë për fitimin e kësaj beteje.
Muaji tetor njihet ndryshe si “Tetori rozë”, muaj kushtuar ndërgjegjësimit për kancerin e gjirit. Qëllimi është të rritet numri i ekzaminimeve për kapjen e hershme të kancerit dhe për rritjen e mundësive për një shërim të plotë të gruas.
/a.d