Një nga oponentët e Ligjit për Arsimin e Lartë prof. Boriçi flet te Javanews për atë çka ndryshuar pas ardhjes në fuqi të Ligjit të Arsimit të Lartë, protestën e studentëve dhe mos-seriozitetin e duhur të instancave. Një haraç, që sipas tij, do ta paguajë e gjithë shoqëria jo shumë larg në kohë…
Intervistoi Ben Andoni
I vetmi hap i momentit, që ndjek Reformën në Arsim ka të bëjë me zgjedhjet nëpër universitete, thotë me keqardhje profesor Boriçi, një nga oponentët zyrtarë të Reformës së Arsimit. Ndërkohë, sfida është shumë-planëshe dhe fillon që te buxheti i vogël, që e përfshin atë dhe që e bën Reformën, një nga më të vështira syresh dhe me më pak shpresë se do japë rezultate e deri te fusha kërkimore. Si për ironi, shumë ankohen për arsimimin dhe uljen drastike të nivelit të studentëve, plagjiaturave që janë bërë në modë dhe jetës akademike, që nuk prodhon asfare studime cilësore, por në realitet, duket se shumicës i pëlqen kjo tollovi. Dhe të mos zgjatemi shumë, por atë që i kemi bërë arsimit dhe strukturave të saj, po e ndjejmë në mungesën e përgjigjeve bazike para sfidave të bujqësisë, problemeve sociologjike e kështu me radhë. Duket se fiksimi pas tregut ka prishur bazën dhe idenë e shkollimit, atë të prodhimit të një elite që do t’i shërbejë ashtu si duhet vendit në të ardhmen. “Vazhdoj të jem kritik i fiksimit tek një ide e vetme qoftë edhe ky tregu. Tregu, konsumi janë pjesë e jetës, por jeta dhe për më tepër Arsimi nuk është treg por transformues njerëzish, është besim mbi atë që je realisht. Mjafton të marrësh shkollën e parë laike shqipe për të cilën u pagua para e madhe për një ferman të Sulltanit. Ajo shkollë transformoi shqiptarin nga të bërit pazar për të qëndruar në perandori”, thotë profesor Artan Boriçi për Javanews, një nga oponentët më të mëdhenj të Reformës .
Rezultati i sotëm është që individë që duhet të përcillnin njohuritë më të mira dhe zgjidhje, tashmë mungojnë ose janë thjesht për të humbur në debate shterpë. Dhe, fakti është se plaga mban dhe produktin masiv të universiteteve, që përbëjnë gati një të tretën e të papunëve të Shqipërisë dhe që zgjidhjen e kanë duke e konvertuar diplomën në kartë militantizmi partie…Në këtë intervistë, profesori flet shkurt dhe thjesht për reformën:
Keni qenë shumë kritik për Reformën sa i përket Arsimit të Lartë. Në çfarë niveli është realizimi i saj sot?
“Vazhdoj të jem kritik i fiksimit tek një ide e vetme qoftë edhe ky tregu. Tregu, konsumi janë pjesë e jetës, por jeta dhe për më tepër Arsimi nuk është treg por transformues njerëzish, është besim mbi atë që je realisht. Mjafton të marrësh shkollën e parë laike shqipe për të cilën u pagua para e madhe për një ferman të Sulltanit. Ajo shkollë transformoi shqiptarin nga të bërit pazar për të qëndruar në perandori (meqë nuk donim të coptoheshim nga fqinjët) në një komb me gjuhë dhe kulturë shqipe dhe pjesë të gjeopolitikës botërore. Shqipërisë i mungon një shkëndijë e tille sot, një ‘corpus iluminus’ si ai i shkollës laike shqipe që është bërë pjesë gjenetike e kombit tonë.
Pas hyrjes në fuqi të Ligjit për Arsimin nuk ka ndodhur asgjë e qenësishme. MAS ka qarkulluar së fundmi një projekt-rregullore zgjedhjesh të reja në Universitete Publike meqë mandati i autoriteteve drejtuese përfundon këtë muaj. Këto janë thjesht zhvillime apatike”.
Pse është fashitur e gjithë ajo problematikë, sipas jush. A duhej që shoqëria të ishte më prezente në të?
“Pasi foli Parlamenti janë vetëm disa grupime studentore anarkiste që e kundërshtojnë Reformën me vezë. Lëvizja e tyre është e panatyrshme, prandaj nuk rezonon me shoqërinë dhe nuk vjen si kërkesë e brendshme e saj.
Në kohën e Realizmit Socialist, Arsimi i Lartë ishte lavdia e sistemit, ikonë e saj. Motori i rinisë ishte trekëndëshi revolucionar. Tani është konsumizmi, ekstremi tjetër. Shoqëria duhet dhe besoj se do të shkoje drejt barazpeshës së vlerave. Ndërkohë që politika është e drejtuar drejt koncesionit të gjithçkaje, shëndetësisë, arsimit të lartë dhe e ndjej se shumë shpejt do të prekë edhe shkollën laike 12-vjeçare, bazat e shqiptarizmit. Mendoj se ndërrimi i trendit do të ndodhë pasi të ‘preket’ fundi i asaj ku të çon konsumizmi. Mbase mund të jetë vonë sepse treni i historisë nuk i pret kombet të hipin, por duhet të ngrihesh herët që të presësh biletën”.